Bostoni favorit para Dallasin, por nuk e nënvlerëson ekipin teksan
Më 6 qershor do të luhet finalja e parë “play off” në NBA. Përball njera-tjetrës janë Boston Seltiks (kampion në Lindje) dhe Dallas Maveriks (kampion në Perëndim), dy skuadra që synojnë fitoren dhe të shkruajnë historinë.
Një përballje me mjaft yje, që pritet të thonë fjalën e tyre në fushë. Bostoni do të ketë faktorin fushë në favorin e tij (4 nga 7 ndeshje i luan në shtëpi), duke qenë se e mbylli sezonin e rregullt më mirë se Dallasi.
Pas gati një jave pushim, të dyja skuadrat mbërrijnë në përballjen e parë me “arsenalin” e plotë dhe gati për të befasuar. Historia dhe sezoni thonë se Boston Seltiks janë favoritë, por gabim të nënvlerësosh ekipin teksan. Te Boston, basketbollistët Holidaj, Uajt, Horford e Porzingis, janë në mbështetje të dyshes magjike Tatum – Braun. Një formacion ku nuk gjen mangësi, pasi edhe stoli është një armë e fortë.
Te Dallas, fusha ka treguar se loja përqendrohet më së shumti të dyshja Luka Donçiç e Kajri Irving, që falë përvojës dinë të dalin nga vështirësitë. Ata do të kenë mbështetjen e Uashingtonit, Liveli-t, Grin-it dhe Tim Hardaveit.