
“Bota Serbe” si mjet politik: Kush po e shfrytëzon dhe kush po hesht?
Debati mbi të ashtuquajturën “Botë Serbe” është kthyer në bosht të përplasjes mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por edhe në pikë kritike për kursin strategjik të shtetit.
Nga njëra anë, BDI/AKI akuzon qeverinë aktuale të VMRO-VLEN për hapje të rrezikshme ndaj ndikimit serb, duke paralajmëruar se vendi po humbet orientimin euro-atlantik.
“Në territorin e Maqedonisë së Veriut po mbahen gjithnjë e më shpesh manifestime të organizuara nga Beogradi, ku promovohen narrativa historike të ‘Serbisë së Vjetër’ dhe të ashtuquajturit ‘çlirimtarë serbë’, duke fyer identitetin dhe shtetësinë e vendit”, deklaron BDI, duke shtuar se “përmes pllakave përkujtimore për vojvodën Vuk dhe pjesëmarrjes së strukturave paramilitare serbe, po legjitimohet hapur shovinizmi serb, ndërkohë që të njëjtët pushtetarë ndalojnë me histeri çdo monument shqiptar”.
Sipas BDI-së, ky standard i dyfishtë rrezikon “jo vetëm integritetin shtetëror, por edhe perspektivën euroatlantike të vendit”, ndërsa rolin e Ivan Stoiljkoviçit e quan “zëdhënës të interesave të botës serbe në Shkup”.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se ndikimi serb tashmë ka depërtuar në institucionet shtetërore:
“Maqedonia e Veriut, e drejtuar nga qeveria VMRO-VLEN, po rrëshqet me hapa të sigurt drejt projektit famëkeq të ‘Botës Serbe’. Brenda më pak se një jave, qytetarët janë dëshmitarë të një serie veprimesh të koordinuara që shkojnë nga manipulimet historike deri te bashkëpunimi institucional me strukturat e ‘Republikës Sërpska’.”
ASh e quan të pafalshme heshtjen e VLEN-it, duke theksuar se:
“Heshtja e turpshme e VLEN-it dhe justifikimet e tyre banale nuk mund të amnistojnë vazalitetin e tyre politik ndaj Mickoskit. Sot, VLEN sillet si opozitë brenda qeverisë, ndërsa ‘Bota Serbe’ vepron lirshëm në çdo cep të shtetit.”
Ndërkohë, VLEN kthen akuzat ndaj BDI/AKI-së, duke i konsideruar ata pa kredibilitet për të folur mbi këtë temë:
“BDI/AKI me gjysmën e kryesisë në lista të zeza ndërkombëtare nuk kanë as moralin dhe as kredibilitetin të flasin për ‘botën serbe’, sepse Abaz Xhuka i UÇK-së nga korrupsioni përfundoi në Ali Ahmetin e Soravisë. Nëse dikush për dy dekada i ka shërbyer interesave të Serbisë, atëherë janë pikërisht ata që sot bëjnë moral me ‘shqiptarinë’.”
VLEN përmend një listë të gjatë bashkëpunimesh të errëta të BDI-së: “‘Ballkani i Hapur’, takimet e Bujar Osmanit në Beograd, plani 9-pikësh në dëm të Kosovës, hyrja e MTEL-it serb në treg, tentativa për t’ia dorëzuar Tetovën oligarkut të sanksionuar Daka Davidoviq, deri te nënshtetësia për Onishçenkon e nënshkruar nga Grubi.”
Në fund, VLEN përmbyll me goditjen më të drejtpërdrejtë:
“Nuk ekziston ‘botë serbe’, por ekziston bota e korrupsionit dhe e katarahurës së 20 viteve pushtet të BDI/AKI-së. Shqiptarët meritojnë më shumë dhe sot alternativa e vetme reale për ndryshim është VLEN.”
Kështu, beteja politike po zhvillohet në dy fronte: BDI dhe ASh paralajmërojnë për rrezikun e rritjes së ndikimit serb, ndërsa VLEN mundohet ta kthejë debatin te korrupsioni dhe e shkuara e BDI-së. Por ndërkohë, projekti i “Botës Serbe” fiton terren në institucione dhe në narrativën publike, ndërsa partitë shqiptare konsumohen në akuza të ndërsjella. Flaka