
Braktisi koalicionin me PD, kreu i Aleancës Maqedonase: S’na dhanë asnjë vend në listë
Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga koalicioni opozitar “PD- Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në garën për zgjedhjet e 11 majit.
Pasi dërgoi kërkesën në KQZ për të dalë nga koalicioni, kryetari i kësaj partie, Vasil Sterjovski zbuloi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.
Ai u shpreh se PD nuk i kishte dhënë asnjë mundësi kandidimi në qarkun e Korçës, si edhe në zona të tjera, ndaj kërkoi largimin nga ky grupim politik.
“Dështuam në negociata. I kërkova një vend në listën e hapur të Korçës, por refuzuan. Edhe në qarqe të tjera nuk na dhanë vende. Pra koalicion, por s’na dhanë asnjë vend në listë”, tha Sterjovski.
Mundësitë e Aleancës Maqedonase për Integrim që të bashkohet në koalicion tjetër në kushtet aktuale janë të pamundura për shkak të tejkalimit të afatit të regjistrimit pranë KQZ, dhe opsioni i vetëm është garimi në listat e subjekteve të tjera të regjistruara.