Brenda 48 orëve: Dy goditje qeveritare dhe një tentativë për çmontimin e të drejtave të shqiptarëve
Në vetëm dy ditë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë përballur me tri goditje të rënda politike, shkruan Flaka Media. Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli antikushtetuese metodologjinë për ndarjen e qytetarëve në rezidentë dhe jorezidentë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) miratoi udhëzimin për uljen e numrit të këshilltarëve në komuna. Ky vendim prek drejtpërdrejt komunat shqiptare, duke zvogëluar përfaqësimin politik dhe duke gjymtuar rolin e institucioneve lokale që udhëhiqen nga shqiptarët.
Anëtarja e KShZ-së, Ditmire Shehu, votoi kundër këtij udhëzimi, por anëtari i VLEN-it, Abdush Demiri, mungoi në seancën vendimtare – duke hapur terren për kalimin e këtij vendimi arbitrar.
Përjashtimi i shqiptarëve nga Qeveria
Në të njëjtën kohë, kryeministri Hristijan Mickoski bëri të qartë vizionin e tij për një qeveri monoetnike, ku shqiptarët reduktohen në rol dekorativ dhe pa ndikim vendimmarrës. Qasja e tij u cilësua si vazhdimësi e tendencës për të dobësuar faktorin shqiptar dhe për të imponuar modelin e dominimit të njëanshëm etnik në ekzekutiv.
“Një njeri më thotë: po e përgatisni BDI-në t’ju bëhet partner në Qeveri. Përgjigja ime e drejtpërdrejtë është se BDI edhe për një kohë të gjatë do të jetë opozitë, sepse deri tani nuk ka mësuar asnjë leksion. Ata aty u përkasin, me ortakun e tyre koalicionues në krimin dhe goditjet kundër Maqedonisë – LSDM-në. Do të jem shumë i qartë dhe shumë preciz: këto zgjedhje nuk do të jenë dera e Bashkimit Demokratik për Integrim për në Qeveri,” – deklaroi Mickoski, duke relativizuar paraprakisht rezultatet zgjedhore të Tetorit, ashtu siç bëri me zgjedhjet parlametnare të vitit 2024.
Si kurorëzim i këtyre zhvillimeve, Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në një intervistë për të përjavshmen “Fokus”, flet për miratimin e Kodit Zgjedhor në Parlament, dhe intervista është zhvilluar para votimit të së shtunës në Kuvendin e Maqedonisë, i cili nuk votoi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Shpresoj që deri në kohën kur të publikohet kjo intervistë, Kuvendi do ta ketë përfunduar tashmë punën e tij të brendshme dhe nuk do të lejojë që të krijohet një boshllëk ligjor. Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë po abuzohet përdorimi i shumicës Badenterit. Nëse po, atëherë ndoshta është koha të mendohet për nevojën e rishikimit të saj. Maqedonia duhet të ecë përpara”, u përgjigj Filkov.
Bujar Osmani nga BDI shprehu shqetësimin se ky është një hap i qartë drejt shpërbërjes së Marrëveshjes së Ohrit, duke paralajmëruar se “plani për rrënimin e të drejtave të shqiptarëve po zbatohet hap pas hapi”.
Tre goditje në vetëm një ditë tregojnë qartë drejtimin e kësaj qeverie. Vendimet për uljen e numrit të këshilltarëve, përjashtimi politik nga qeveria dhe tentativat për të relativizuar Badenterin nuk janë të rastësishme – ato janë pjesë e një plani të menduar për të minimizuar fuqinë politike të shqiptarëve.
Tetori pritet të jetë momenti i verdiktit popullor, ku shqiptarët do të tregojnë nëse do të pranojnë reduktimin dhe margjinalizimin e tyre, apo do të kundërpërgjigjen me votë për mbrojtjen e barazisë së vërtetë. Flaka Media






