Broja lë gjurmë ndaj Man.City, tani Evertoni beson te mbijetesa
Njëzet minuta në fushë kundër më të mirëve në botë, kundër Man.City, për të vërtetuar se sa shumë klas ka në këmbët e tij. Armando Broja dhuroi sërish spektakël për sa kohë ishte në fushë, sigurisht nuk arriti të linte gjurmë, të realizonte, apo të dhuronte një assist, kjo dhe për faktin se Everton u përpoq të ruante rezultatin, pikën kundër qytetarëve, por sulmuesi kuqezi ishte i papërmbajtshëm, u ndal vetëm me faull kur kishte topin në këmbë, si në rastin e Phil Foden. Për sa kohë ishte në fushë, Broja dhuroi 7 pasime, të 7-ta të sakta, ndërmori 2 driblime, një i realizuar.
Sipas “SofaScore”, faqes së specializuar për statistikat, në përfundim të ndeshjes, “bomberi” kuqezi u vlerësua me notën 6,8.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri Sean Dyche u shfaq i kënaqur me paraqitjen e Brojës dhe pjesës tjetër të ekipit, pasi një pikë përballë City, pavarësisht situatës ku ndodhen nuk është për t’u hedhur poshtë:
“Mendoj se forma është e mirë, dëshira është e mirë, angazhimi i lojtarëve është maksimal, por na mungon ende ajo shkëndijë përpara portës, na mungon goli”, u shpreh trajneri i Everton.
Pas javës së 17-të, Everton renditet në vendin e 15-të në kuotën 17 pikëve, 3 pikë larg “vijës së kuqe”.