
Brukseli konfirmon paralajmërimet tona, Maqedonia e Veriut nën kontroll të “Botës serbe”
Kritikat e shprehura që para zgjedhjeve të 8 majit ndaj drejtimit pro-serb të Qeverisë së re në Shkup po gjejnë gjithnjë e më shumë konfirmim edhe në instanca ndërkombëtare. Kështu deklaron Aleanca për Shqiptarët, përmes një reagimi në media.
Sipas ASH, raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut i hartuar nga eurodeputeti Thomas Waitz, i cili do të diskutohet në Parlamentin Evropian më 8 korrik në Strasburg, ngrit në mënyrë të qartë alarmin për ndikimin destabilizues të “botës serbe” në vend dhe në rajon.
“Bota Serbe minon sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit. Përfaqësuesit qeveritarë në Shkup e mbështesin dhe e promovojnë atë,” thuhet në projekt-rezolutën e Parlamentit Evropian, të bazuar në raportin e progresit.
ASH – Ziadin Sela kujton se Aleanca për Shqiptarët e ka paralajmëruar këtë rrezik shumë përpara formimit të Qeverisë së re.
“Se kjo Qeveri është në shërbim të ‘Botës Serbe’ u dëshmua që nga dita e parë,” thekson Sela, duke përmendur përjashtimin e shqiptarëve nga ekzekutivi, emërimin e Ivan Stoilkoviqit si nënkryeministër, si dhe projektet infrastrukturore të orientuara njëanshëm.
ASH përmend me shqetësim ndërprerjen e projekteve strategjike për shqiptarët si Korridori 8 dhe promovimin e Korridorit 10, për të cilin thotë se:
“Është projekt ekskluzivisht serb, sepse asnjë përfitim nuk e ka Maqedonia e Veriut, por koston do ta paguajnë qytetarët tanë.”
Në fund, ASH – Sela drejton pyetje publike për koalicionin shqiptar në pushtet:
“Pyesim publikisht partitë e koalicionit VLEN se tanimë a e kanë të qartë se kujt po i shërbejnë me qëndrimin e tyre në këtë Qeveri pro serbo-ruse?”
Reagimi i partisë së Selës vjen në një moment kur debati mbi orientimin strategjik të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po thellohet, ndërsa pritet që diskutimet në Strasburg më 8 korrik të nxjerrin më shumë në pah vlerësimet kritike të BE-së ndaj situatës aktuale politike në Shkup.