
Bujar Osmani: Boshnjakët janë pjesë e pandarë e identitetit tonë të përbashkët në Çair
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, mori pjesë sot në akademinë solemne me rastin e Ditës së Boshnjakëve, ku shprehu respektin e tij për kulturën, historinë dhe kontributin e komunitetit boshnjak në këtë komunë.
“Sot, në akademinë solemne me rastin e Ditës së Boshnjakëve, shprehim respektin tonë të thellë për kulturën, historinë dhe kontributin tuaj në Çair. Boshnjakët janë pjesë e pandarë e identitetit tonë të përbashkët dhe bashkëjetesa është forca që na mban,” tha Osmani.
Ai premtoi se në mandatin e tij, Komuna e Çairit do të ketë një qasje të re ndaj diversitetit kulturor dhe gjuhësor, duke u fokusuar tek përfaqësimi i barabartë.
“Zotohem se në Çair do të themelojmë Departamentin për gjuhën dhe kulturën boshnjake, duke garantuar përdorim të barabartë të gjuhës dhe mbështetje për iniciativat tuaja kulturore,” theksoi kandidati.
Osmani përfundoi se vizioni i tij për Çairin është një komunë ku çdo qytetar ndihet i barabartë, i respektuar dhe pjesë e një zhvillimi të përbashkët.
“Bashkë, më 19 tetor, do të hapim një faqe të re për zhvillimin e komunës sonë, ku çdo qytetar do të ndihet i barabartë, i respektuar dhe pjesë e vizionit të përbashkët,” tha ai.
