
Bujar Osmani: Çairi ishte një mësim, arroganca e disave në VLEN, e gërditshme
Kandidati i BDI-së dhe koalicionit “AKI” për komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka reaguar pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar rezultatin si “një mësim që pranohet me dinjitet”, transmeton Zyrtare.
Në një postim në rrjete sociale, Osmani tha se ka marrë përgjegjësinë për rezultatin dhe ka uruar fituesin, por kritikoi ashpër, siç u shpreh ai, “arrogancën e disave në VLEN”.
“Çairi ishte një mësim, dhe çdo mësim pranohet me dinjitet. E mora përgjegjësinë time dhe e përgëzova fituesin, sepse edhe në këto rrethana dua të lë pas vetes një trashëgimi të kulturës politike,” shkroi Osmani.
Ai shtoi se nuk pranon që për shkak të këtij rezultati të “nënvlerësohet BDI dhe koalicioni”, duke theksuar se me 117 mijë vota, Aleanca për Integrim (AKI) “mbetet forca më e madhe dhe përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve”.
Në postim, Osmani e quajti Ali Ahmetin “ideolog dhe udhëheqës të pakontestueshëm të shqiptarëve”, duke dënuar fyerjet ndaj tij si “shenjë dobësie morale”.
“Këto sulme të ulëta kanë një qëllim, të sjellin demoralizim para raundit të dytë, por do të ndodhë e kundërta – bashkim dhe vendosmëri,” shtoi ai.
Në fund, Osmani u bëri thirrje shqiptarëve që në raundin e dytë të “konfirmojnë me dinjitet dhe masivitet” mbështetjen për AKI-në dhe për liderin e saj, Ali Ahmeti./ZYRTARE.net