
Bujar Osmani: Mickoski heshti përballë thirrjeve “vdekje për shqiptarët” – turp dhe alarm!
Thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë vazhdojnë të shkaktojnë reagime të ashpra në opinionin publik dhe në spektrin politik. Ka reaguar edhe Bujar Osmani – ish-ministër i jashtëm dhe një prej figurave kyçe të politikës shqiptare në vend, njofton Flaka
Osmani e ka cilësuar ngjarjen si një skandal të shumëfishtë, jo vetëm për shkak të përmbajtjes së koreve, por edhe për mungesën e reagimit institucional që i pasoi.
“Thirrjet për ‘vdekje për shqiptarët’, për ‘dhoma gazi’ dhe për ‘Maqedoni të pastër’, para një delegacioni të gjerë qeveritar të kryesuar nga Kryeministri, përbëjnë skandal më vete për të cilin duhet të reagojnë të gjithë”, tha Osmani.
Ai ka shprehur shqetësim të thellë për heshtjen e Kryeministrit Hristijan Mickoski dhe për mungesën e çdo reagimi zyrtar nga ana e Qeverisë.
“Mungesa e reagimit nga vetë Kryeministri dhe nga Qeveria, dërgon një mesazh edhe më shqetësues për normalizimin e këtyre trendeve”, u shpreh ai.
Sipas Osmanit, kjo ishte një mundësi që Mickoski mund ta kishte përdorur për të treguar se është lider i të gjithë qytetarëve, por dështoi ta bëjë këtë në mënyrën më të turpshme.
“Mickoski e humbi mundësinë të tregojë se është Kryeministër i të gjithë qytetarëve, dhe se të paktën simbolikisht është i shqetësuar për fyerjet dhe kërcënimet drejtuar shqiptarëve. Ai duhej të largohej menjëherë nga salla, ose, në minimum, të reagonte publikisht në rrjetet sociale duke i dënuar këto thirrje”, shtoi ai.
Osmani kritikoi edhe institucionin e Qeverisë për mungesë të reflektimit institucional.
“Qeveria humbi rastin të dërgojë një reagim zyrtar, ndërkohë që kemi parë se është në gjendje të prodhojë edhe seri njoftimesh për nevoja shumë më të vogla”, nënvizoi ai.
Duke e vendosur incidentin e Kumanovës në një kontekst më të gjerë, Osmani paralajmëroi se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një klime të rrezikshme që po tolerohet – në disa raste edhe inkurajohet – nga pushteti aktual.
“Ky skandal në tribunat e Kumanovës nuk është rast i izoluar, por një tjetër në vargun e ngjarjeve me të cilat pushteti ose e nxit, ose në minimum e normalizon retorikën anti-shqiptare në shoqëri”, deklaroi Osmani.
Ai përmendi edhe rastin e Bogevskit, një partner koalicioni i njohur për deklarata fyese ndaj shqiptarëve, që më pas u shpërblye nga vetë Kryeministri.
“Le të kujtojmë rastin e Bogevskit, partnerit të koalicionit i cili u bë i njohur për fyerje dhe poshtërime ndaj shqiptarëve, dhe më pas u shpërblye e u mbrojt nga vetë Kryeministri”, theksoi Osmani.
Për fund, ai bëri thirrje për reflektim dhe reagim të qartë nga të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë.
“Këto janë tendenca të rrezikshme dhe shqetësuese, dhe ata që ia duan të mirën vendit nuk duhet t’i tolerojnë këto shpërthime, por duhet t’i dënojnë qartë dhe pa ekuivok”, përfundoi reagimin e tij Bujar Osmani. Flaka
The post Bujar Osmani: Mickoski heshti përballë thirrjeve “vdekje për shqiptarët” – turp dhe alarm! appeared first on Flaka, në çdo lajm… .