
Bujar Osmani: Nëse vazhdojmë pa vizion dhe plan, Çairit do t’i ndodhë kolaps i plotë
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte në një takim me qytetarët dha një mesazh të fuqishëm dhe alarmues: nëse komuna vazhdon në këtë rrugë pa vizion dhe strategji të qartë, pason kolaps i plotë, jo vetëm në cilësinë e jetës, por edhe në funksionet themelore të jetesës urbane.
“Vëllezër, Çairi nëse vazhdon me këtë trend ku është nisur, sipas të gjithë parametrave shkencorë që janë analizuar, për disa vite do të kolapsojë plotësisht. Ky do të jetë kolaps i plotë, jo vetëm në aspektin e dinjitetit të jetës së njerëzve, por edhe në funksionet bazike të jetës”, tha Osmani para banorëve të Çairit.
Në fjalimin e tij, ai me të dhëna i përshkroi sfidat serioze me të cilat përballet komuna: “Çairi ka kaosin më të madh urban në qytetin e Shkupit. Çairi sot është komuna më e ndotur. Çairi është komuna me numrin më të madh të vrasjeve, jo vetëm në Shkup, por edhe më gjerë.”
Osmani paralajmëroi se dendësia e shtuar e popullsisë, rritja e numrit të automjeteve dhe ndërtimet e pakontrolluara pa plan, tashmë i kanë futur qytetarët në stres të përditshëm urban dhe në kolaps të infrastrukturës:
“Nëse vazhdojmë me këtë trend pa plan, sepse nuk ka pasur vizion, nuk kemi ditur kah po shkojmë dhe çfarë duam të arrijmë në të ardhmen, atëherë me këtë rritje të numrit të banorëve, me këtë rritje të numrit të makinave, besoni se do të përfundojmë në kolaps të plotë të funksioneve bazike.”
Në këtë drejtim, Osmani e prezantoi strategjinë e tij afatgjatë për transformimin urban, “Vizioni Çair 2040”, e cila, siç tha, nuk lidhet me mandatet dhe ciklet politike, por me të ardhmen e gjeneratave të reja.
“Nuk është rastësi që e quajta Vizioni 2040. Mund t’ju duket e largët, mund t’ju duket e paarritshme, por nuk dua ta lidh me mandatet politike, me individë ose me parti. Dua të bëjmë një marrëveshje me qytetarët.” Ai kritikoi ashpër faktin që pas 20 vitesh për herë të parë janë angazhuar arkitektë për të bërë një vizion për Çairin, duke theksuar: “Plani nuk bëhet pasi të ndërtohet shtëpia. Sepse nëse ndërtohet pa plan, përfundon me kaos. Dhe Çairi është ndërtuar pa plan.”
Osmani njoftoi se Vizioni Çair 2040 do të jetë baza për zgjidhjen e problemeve të komunikacionit, dendësisë, hapësirës publike dhe mosfunksionimit të përgjithshëm urban, përmes një qasjeje shkencore, transparente dhe afatgjatë në bashkëpunim me qytetarët dhe opinionin profesional. Flaka