
Bujar Osmani nga Gazi Baba: Çdo mëngjes do të jem në rrugët e Çairit
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte zhvilloi takim me banorët e lagjes Gazi Baba, ku dërgoi një mesazh të fuqishëm për disiplinë, përkushtim dhe qasje të drejtpërdrejtë në terren për menaxhimin e komunës, transmeton Flaka
“Vij me mëngët përveshur dhe premtoj disiplinë pune – ashtu siç kam punuar gjatë gjithë jetës sime”, deklaroi Osmani, duke theksuar se profesioni i tij si kirurg e ka mësuar në përkushtim dhe përgjegjësi pa kompromis.
“Gjëja e parë që mëson një kirurg është disiplina e punës. Të kalosh shumë net pa gjumë për t’u shërbyer njerëzve”, tha Osmani, duke shtuar se pikërisht këtë parim do ta zbatojë edhe si kryetar i ardhshëm i komunës.
Ai paralajmëroi një plan konkret për kontroll të përditshëm në terren:
“Çdo ditë nga ora 5 e gjysmë deri në 7 e gjysmë të mëngjesit do të eci në këmbë në çdo rrugë të Çairit, aq i madh është Çairi, 3.5 kilometra. Në 7 e gjysmë do t’i thërras shërbimet komunale dhe do t’u jap detyra konkrete ku ka gropë, ku mungon drita, ku duhet pastrim. Ky është i vetmi mënyrë për të udhëhequr një komunë me sytë hapur dhe me zemër për njerëzit.”
Sipas Osmanit, qytetarët nuk presin mrekulli, por vëmendje, kujdes dhe punë.
“Çairi nuk kërkon shumë. Njerëzit nuk presin mrekulli. Ata presin dikë që të zgjohet herët dhe të dëgjojë hallet e tyre, hap pas hapi, me disiplinë dhe këmbëngulje. Dhe këtë jua premtoj.”
Në fjalimin e tij, Osmani dha edhe një zotim personal të fuqishëm për një ambient më të shëndetshëm në Çair:
“Nuk dua që fëmijët e mi, as fëmijët tuaj, të rriten në pluhurin e komunës më të ndotur në Shkup. Deri në fund të mandatit, Çairi do të bëhet komuna më e pastër, ose unë nuk do të jem kryetar komune.”
Ai theksoi se qëllimi i tij është të kthejë përvojën dhe dijen që ka fituar në diplomacinë dhe institucionet ndërkombëtare, përsëri në komunën ku jeton dhe ku rriten fëmijët e tij.

Osmani: Shqiptarët nuk e shesin vullnetin e tyre për 1.000 denarë, këto zgjedhje – referendum për vetëvendosje
Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte dërgoi një mesazh të fuqishëm dhe emocional për qytetarët, duke i quajtur zgjedhjet lokale “referendum për kthimin e tapisë së shtëpisë së vet” dhe “luftë për dinjitet dhe vetërespekt.”
“Para së gjithash, për mua është vetëvendosje vendimi që unë do të vendos për fatin tim. Na e morën sovranitetin. Ne nuk vendosim më për të ardhmen e këtij shteti, sepse dikush tjetër vendos për ne,” tha Osmani para shumë mbështetësve. Ai e krahasoi humbjen e kontrollit demokratik me humbjen e tapisë së shtëpisë së vet: “U luftua që ta marrim atë tapi, të bëhemi zot shtëpie. Dhe na e morën për një vit. Prandaj këto zgjedhje janë referendum. Të kthejmë tapinë e shtëpisë. Të kthejmë statusin e të zotit të shtëpisë.” Osmani kritikoi ashpër përpjekjet për blerje votash dhe manipulim politik me vullnetin qytetar: “Ne nuk jemi popull që e shet vullnetin e vet zgjedhor për 1.000 denarë ose për një eskavator që kalon dhe bën një rrugë që nuk e ka bërë për 20 vjet.”
Në fjalimin e tij, Osmani theksoi edhe rëndësinë e bashkimit të spektrit politik shqiptar përmes Aleancës së re Kombëtare për Integrim, të cilën e quajti: “…bashkimi më i madh kombëtar i shqiptarëve që nga viti 2001. Nuk ka pasur bashkim më të madh se tani.
” Ai theksoi se kjo aleancë nuk është formuar rastësisht, por si përgjigje ndaj zhgënjimit nga pushteti aktual: “Kjo është bërë si thirrje e njerëzve të zhgënjyer nga ajo që po ndodh tashmë një vit… njerëzit që shkuan te VLEN çdo ditë kërkojnë takim, thonë kjo nuk ishte ndryshimi që kërkuam. Nuk ishte ky dinjiteti që kërkuam.” Osmani bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm për kthimin e Çairit qytetarëve: “Kërkojnë të bashkohemi, të dërgojmë mesazh se e duam tapinë e shtëpisë, dhe duam ta çlirojmë Çairin, dhe të nisë një Çair modern, i pastër, me rregull, pa korrupsion, në të cilin njerëzit do të mund t’i rrisin fëmijët e tyre pa shqetësim se si do të kthehen në shtëpi.” Me një apel për pjesëmarrje masive, ai përfundoi: “Ju faleminderit shumë për mbështetjen dhe pres që secili prej jush të dalë, t’i thërrisni njerëzit, t’i thërrisni fqinjët tuaj.”

Bujar Osmani: Çairi do të bëhet komuna më transparente në Maqedoninë e Veriut
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte e akuzoi pushtetin aktual lokal për mungesë transparence dhe neglizhencë ndaj komunës, duke premtuar një ndryshim rrënjësor në mënyrën e menaxhimit të saj, transmeton Flaka
“Komuna e Çairit është komuna më jotransparente në Shkup, këtë nuk e them unë, por e tregojnë parametrat zyrtarë”, theksoi Osmani, duke shtuar se Çairi është komunë që nuk i publikon shpenzimet e saj, nuk tregon se ku shkojnë paratë e qytetarëve.
“Detyrimi im është që të premtoj se deri në fund të mandatit, Çairi do të bëhet komuna më transparente në Shkup”, theksoi Osmani. Por premtimi nuk ndalet vetëm tek transparenca. Osmani paralajmëroi edhe ndryshim të kulturës së papërgjegjshmërisë së rrënjosur thellë: “Çairi duhet të bëhet komunë me rregull. Të mos ndërrohen vetëm politikanët, por të ndryshohet mënyra e funksionimit. Të ndalojmë me praktikën ‘të shohim nëse ka vend të lirë për të ndërtuar diçka në mënyrë ilegale’,” tha ai.
Ai theksoi se ndryshimi do të fillojë nga gjërat e përditshme, “të vogla”, pikërisht ato që qytetarët i ndjejnë çdo ditë: shënjimi i rrugëve për siguri më të madhe të fëmijëve, trotuare pa makina të parkuara për nënat me karroca, rrugë pa gropa ku automjetet vazhdimisht prishen.
“Kjo nuk kërkon shumë para. Nuk kërkon investime të mëdha. Kjo kërkon kujdes. Dashuri për komunën. Dhe unë këtë e sjell me vete,” përfundoi Osmani. Flaka