Bujar Osmani pranon humbjen në Çair: “Urime kundërkandidatit tim
Pas përfundimit të procesit zgjedhor në komunën e Çairit, kandidati Bujar Osmani ka reaguar përmes një postimi, duke vlerësuar ditën e zgjedhjeve si të qetë dhe të suksesshme. Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij gjatë fushatës, duke e cilësuar si një periudhë përkushtimi, sakrifice dhe miqësish të reja.
“Vlerësoj se kishim një ditë zgjedhore të suksesshme, pa vërejtje të mëdha, dhe besoj se kjo është e rëndësishme të theksohet,” – shkroi Osmani.
Në fjalën e tij, ai theksoi se në politikë fjala e fundit u takon qytetarëve dhe se ai respekton mesazhin që ata kanë dhënë përmes votës. Edhe pse, siç tha, “fushata nuk ishte as e drejtë e as e ligjshme në çdo aspekt”, Osmani nënvizoi se nuk dëshiron të ankohet, pasi ndershmëria dhe vlerat duhet ruajtur “edhe në situata si kjo”.
“Urime kundërkandidatit tim dhe të gjithë koalicionit që qëndroi pas tij. Ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme,” – shtoi Osmani.