
Bujar Osmani: Shteti është shndërruar në proksi të “Botës Serbe”, shqiptarët po poshtërohen!
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është prononcuar në KTV të Kosovës lidhur me ndikimin në rritje të asaj që ai e quan “Bota Serbe” në skenën politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut, njofton Flaka. Sipas Osmanit, aktualisht në Maqedoninë e Veriut po ndodh një devijim serioz drejt një modeli i-liberal që rrezikon ta sabotojë perspektivën evropiane të rajonit.
“E kanë shndërruar shtetin në proksi (proxi) lojtar të Botës Serbe. Unë nuk do të them Serbisë për shkak se Serbia është shtet fqinjë me të cilin duhet të kemi raporte normale, por Bota Serbe është një koncept tjetër i dominimit rajonal,” – theksoi Osmani.
Ai shtoi se kjo ideologji është më e gjerë sesa vetë koncepti etnik serb, pasi promovon një model të demokracisë i-liberale që e vë Ballkanin në një kleshtë mes dy qasjeve antagoniste – asaj evropiane dhe asaj autokratike.
“Këtu keni disa lojtarë, siç është Dodiku në Republikën Serbe, janë disa lojtarë në Serbi dhe tash edhe në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë shndërruar në instrument të ideologjisë i-liberale për të sabotuar idenë Evropiane në Ballkan,” – paralajmëroi Osmani.
Si shembull konkret të këtij ndikimi, ai përmendi emërimin e Ivan Stoilkoviç në krye të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve – një institucion që historikisht ka pasur rol kyç në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve.
“Shqiptarët kanë një ministri në Shkup që më herët ishte Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit dhe sot quhet Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve që ekskluzivisht është e formuar për të trajtuar çështjen shqiptare. Kanë emëruar ministër të asaj ministrie Ivan Stoilkoviç, një njeri i cili është ekspoziturë e Vulinit në Serbi, dhe një vizitues i përditshëm i Putinit dhe çdo kongresi të Putinit në Moskë,” – deklaroi Osmani.
Sipas tij, ky emërim nuk është rastësor, por një akt i qëllimshëm për të dërguar mesazhe nënçmuese ndaj shqiptarëve dhe për të relativizuar statusin e tyre si popull shtetformues në vend.
“Kjo është bërë për të na treguar se ku e kemi vendin, për të na poshtëruar, për të na thënë se kjo ministri do të duhet të shkojë në rotacion se ju jeni pakica nën 20 për qind,” – u shpreh ai, përcjell Flaka.
Në fund, Osmani kujtoi thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila përcakton se shqiptarët janë mbi 20 për qind të popullsisë dhe për rrjedhojë gëzojnë të drejta të veçanta, përfshirë përdorimin zyrtar të gjuhës, veton në ligje kyçe dhe autonomi institucionale.
“Të tria këto janë rrënuar,” – përfundoi Osmani, duke dhënë alarmin për një regres të rrezikshëm në marrëdhëniet ndëretnike dhe kursin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Flaka Media