Bullizmi online, ndërhyrje nga policia në TikTok
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh në Euronews Albania se sa i përket krimeve kibernetike në platformat sociale, kryesisht në Tiktok, po bashkëpunohet me ofruesit e shërbimeve për monitorimin e rasteve të bullizmit online.
Sipa ministrit, ky hap po ndërmerret sepse një pjesë e konsiderueshme e prindërve po kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të policisë për rastë kur fëmijët e tyre bien “pre” e këtyre sulmeve.
“Një prej shqetësimeve që na sjellin prindërit është bullizmi online. Ne po punojmë me ofruesit e shërbimeve për të rritur monitorimin në gjuhën shqipe. Një problem të tillë e ka TikTok-u. Departamenti ynë kundër krimeve kibernetike po dokumenton raste të përditshme, për të mbrojtur jetën e njerëzve në hapësirën online.” -deklaroi Balla.
Kujtojmë që ditën e sotme dy të rinj nga Lezha morën peng një 17-vjeçar dhe pasi e ngacmuan seksualisht, të gjithë momentin e kanë publikuar në rrjetin social TikTok.