
Bushati për rastin në Kumanovë: “Thirrjet për dhoma gazi janë të rrezikshme – heshtja zyrtare është e papranueshme”
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar ashpër pas skandalit të ndodhur në Kumanovë, ku gjatë një ndeshjeje basketbolli u dëgjuan thirrje ekstremiste dhe raciste ndaj shqiptarëve.
Në një postim në rrjetet sociale, Bushati e cilëson ngjarjen si një shfaqje të urrejtjes etnike, ndërsa kritikon ashpër heshtjen e zyrtarëve të lartë që ishin të pranishëm në sallë.
“Ajo që ndodhi në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit ishte një shfaqje e urrejtjes etnike. Thirrjet ‘Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur’ dhe ‘Dhoma gazi për shqiptarët’ nuk janë vetëm fyese. Ato janë të rrezikshme,” shkruan Bushati.
Ai paralajmëron se këto mesazhe nuk janë thjesht retorikë ekstreme, por kërcënim real për bashkëjetesën ndëretnike dhe sigurinë publike.
“Këto nuk janë thjesht fjalë të turpshme. Janë shenja të një mentaliteti që nxit dhunë, përçarje dhe destabilitet.”
Më tej, Bushati kritikon mungesën e reagimit nga ana e autoriteteve maqedonase:
“Heshtja nga zyrtarët që dëgjuan këto thirrje në atë që duhet të ishte një ‘tempull i sportit’, por u kthye në një ‘sallë turpi’, është e papranueshme.”
Bushati i bashkohet zërave që kërkojnë veprim të menjëhershëm institucional dhe ndëshkim të përgjegjësve, duke e cilësuar ngjarjen si një test për standardet demokratike dhe vlerat europiane që Maqedonia e Veriut pretendon të mbrojë. Flaka
The post Bushati për rastin në Kumanovë: “Thirrjet për dhoma gazi janë të rrezikshme – heshtja zyrtare është e papranueshme” appeared first on Flaka, në çdo lajm… .