
Çairi nis reformën arsimore: mësimi me një ndërrim starton në ‘Kongresi i Manastirit’
AA
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti, vizitoi Shkollën Fillore “Kongresi i Manastirit” në Çair, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Ai theksoi se kjo shkollë është e para në komunë ku mësimi do të zhvillohet në vetëm një ndërrim, si hap i parë drejt një arsimi evropian.
“Sot, në ditën e parë të vitit shkollor, hedhim hapin e parë konkret drejt një Çairi evropian në arsim. Fillojmë mësimin në një ndërrim në SHF ‘Kongresi i Manastirit’. Ky nuk është vetëm paralajmërim, por realizim i premtimeve tona, dëshmi se punojmë me plan, përgjegjësi dhe seriozitet,” tha Mexhiti.
Sipas tij, kjo reformë do të sjellë përfitime për të gjithë:
Për nxënësit: mësim më cilësor, orë interaktive, më shumë sport dhe kulturë, si dhe një ambient të sigurt e motivues.
Për prindërit: kujdes dhe siguri të garantuar, më pak stres, planifikim më të mirë të ditës dhe komunikim të rregullt me shkollën.
Për mësimdhënësit: trajnim për metoda moderne, përdorim të mjeteve digjitale, organizim të qartë të ditës së punës dhe sistem stimulues për zhvillim profesional.
Mexhiti paralajmëroi se modeli pilot i “Kongresit të Manastirit” do të zgjerohet edhe në shkollat tjera të Çairit, dhe brenda katër viteve të gjitha shkollat fillore të funksionojnë me sistem një-ndërrim dhe mësim tërëditor.