
“Çairi paguan 10 herë më shtrenjtë për mbushjen e gropave se Buteli” | DOKUMENTE
Bashkimi Demokratik për Integrim sot publikoi, siç u tha, dëshmi tronditëse për shpërdorimet dhe veprimtarinë kriminale në Komunën e Çairit, të udhëhequr nga Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu.
Sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Çairit paguan shifrën marramendëse prej 72.000 denarë për 1 metër katrorë asfalt për mbushjen e gropave në rrugë. Për krahasim, Komuna fqinje e Butelit për të njëjtën punë paguan vetëm 7.100 denarë, gati 10 herë më pak.
“Po, e dëgjuat mirë shtatëdhjetë e dy mijë denarë për një metër asfalt në Çair. Ndërsa në Butel, për të njëjtën punë paguhet dhjetë herë më pak. Pyetja është e thjeshtë: a i rregullon Çairi gropat apo i mbush xhepat e dikujt?”, deklaroi Besarta Alija nga BDI.
Sipas Alijës, kjo përbën kriminalitet epik dhe korrupsion në dëm të qytetarëve të Çairit, duke dëshmuar se paratë publike po keqpërdoren për interesa personale, në vend që të shfrytëzohen për shërbime reale dhe përmirësim të infrastrukturës.
BDI njoftoi se të gjitha dëshmitë do t’u dorëzohen institucioneve kompetente dhe publikisht kërkoi përgjegjësi nga Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu.
“Qytetarët e Çairit kanë të drejtë të dinë si dhe ku përfundojnë paratë e tyre. Mjaft më me shpërdorime dhe kriminalitet. Çairi meriton pushtet të ndershëm dhe llogaridhënës”, theksoi Besarta Alija në konferencën për shtyp.

