Çavi Hernandez shpjegon përse u largua Griezmani nga Barcelona
Barcelona do të përballet me Atletiko Madridit në udhëtim në kuadër të xhiros së 29-të në La Liga, në atë që mund të jetë një ndeshje jetike për vazhdimësinë e blaugranasve në kampionat. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri i Barçës, Çavi Hernandez, ka folur për arsyen e largimit të Antoan Griezmanit, i cili u rikthye tek Atletiko Madridi pas një aventure dyvjeçare tek Barcelona.
Sipas asaj që thotë tekniku spanjoll, largimi i francezit ka të bëjë kryesisht vetëm për shkak të situatës financiare të Barcelonës.
“Ne vendosëm që ta lejojmë Antoan Griezmanin që të largohet vetëm për shkak të situatës financiare, klubi duhej ta lejonte që të largohej. Griezman është një lojtar që e pëlqej shumë, por ai u largua për këtë arsye”, është shprehur ai.
Reprezentuesi francez në një intervistë të dhënë më parë, kishte pranuar se kalimi i tij tek Barcelona ka qenë një lëvizje e gabuar.
“Kam vendosur të largohem sepse kam arritur kufirin tim mendor. Duhej të largohesha. U mundova që të qëndroja, por e kuptova se nuk isha i lumtur njësoj sikur në Madrid”, kishte thënë Griezman për “Marca”.