Çellsi mendon për merkaton e radhës, dy emra janë vënë si prioritet
Pasi ka larguar një “thes” me lojtarë në formë huazimi në merkaton e janarit, skuadra e Çellsit po planifikon goditjet e duhura në merkaton e verës.
I pari në listën e skuadrës londineze është qendërmbrojtësi brazilian Muriljo. Për të, skuadra e Çellsit u interesua që në janar, por pronari i Notingam Forestit refuzoi të merrte në konsideratë atë që do të kishte qenë një shitje rekord për klubin.
Gjithsesi, sipas “Daily Telegraph”, bisedimet nuk janë lënë në mes dhe palët pritet të gjejnë marrëveshjen në merkaton e verës.
Një tjetër emër i rëndësishëm është edhe Daniel Munjoz, që luan me Kristal Pallasin. Për lojtarin janë interesuar edhe Man. Siti e Barcelona, ndaj për “blutë” e trajnerit Mareska nuk do të jetë e lehtë. Kolumbiani Munjoz ka tërhequr mjaft vëmendje këtë sezon me paraqitjet e tij, me Çellsi që ka shtyrë bisedimet për në verë.