Çendler: Kam dy vjet që e pres Mekgregorin në kafaz, i jap edhe 6 muaj kohë
Pasi kaloi pjesën më të mirë të dy viteve të fundit duke pritur për t’u përballur me Konor MekGregor, luftëtari amerikan Majkëll Çendler ka marrë një vendim. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ai deklaroi se do të zhvillojë një revansh me Çarll Oliveira.
Çendler i ka vendosur një afat kohor prej gjashtë muajsh irlandezit për të realizuar duelin e shumëpritur prej tyre. Në të kundërt ai do të vijojë karrierën e tij.
“Nëse Konori nuk kthehet në gjysmën e parë të 2025, unë do të luftoj me dikë tjetër”, shpjegoi Çendler.
“Ka edhe luftime të tjera për të cilat jam i interesuar. Unë nuk luftova për dy vjet, jo vetëm duke pritur Konorin, por doja të merrja pak kohë dhe t’i jepja trupit tim një pushim. Një pjesë e imja ishte e varur nga Konor, por tani nuk mund të pres më gjatë”, tha Çendler.
Dueli mes tyre, i planifikuar në qershor të këtij viti, u anullua vetëm dy javë para se të zhvillohej, për shkak të një dëmtimi të irlandezit.
“Rezervimi i një sfide me Konor MekGregor është një detyrë shumë, shumë, shumë unike. Nëse funksionon, funksionon. Nëse jo, trashëgimia ime nuk është e lidhur me Konorin”, tha amerikani.