
Ceremonitë e martesave tashmë edhe te Porta e Maqedonisë, nis më 1 qershor
Nga 1 qershori, qytetarët do të kenë mundësinë që ditën më të veçantë të jetës së tyre, MARTESËN, ta kurorëzojnë në një nga simbolet më të njohura të Shkupit, Porta e Maqedonisë.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, Faton Fazliu, i cili ka njoftuar se është arritur marrëveshje për organizimin e ceremonive të martesës në këtë vend të veçantë. “Tani martesa nuk është më vetëm një procedure, por një kujtim i bukur në zemër të qytetit”, ka deklaruar Fazliu.
Ceremonitë do të mbahen katër ditë në javë në një ambient solemn dhe të denjë për një moment që mbahet mend për jetë. Ky shërbim i ri vjen si pjesë e përpjekjeve për të sjellë më shumë kuptim dhe përjetim emocional në aktin e kurorëzimit, duke ofruar një vend simbolik dhe të paharrueshëm për çiftet që zgjedhin të lidhin martesë. “Momentet e veçanta meritojnë vend të veçantë dhe ne sapo e mundësuam këtë për qytetarët tanë”, përfundoi Fazliu.