Çmimi special, braziliania Marta parakalon Mesin dhe Mbape-n
Marta fiton çmimin special të “FIFA THE BEST”, trofe ky që i jepet një individi për arritje të jashtëzakonshme në karrierë. Pak lojtarë e fitojnë këtë çmim, emri i të cilit përmbledh arritjet më të mëdha të futbollistëve, meshkuj apo femra. Braziliania është votuar si lojtarja më e mirë në botë plot gjashtë here të tjera më herët (2006, 2007, 2008, 2009, 2010 dhe 2018).
Rekordi i saj në Kupën e Botës për Femra është thuajse i paarritshëm, ndërsa në gjashtë turne Marta shënoi 17 gola në 23 ndeshje duke e bërë atë golashënuesen më të mirë në historinë e Kupës së Botës në futbollin e meshkujve dhe femrave.
Ndër lojtarët aktivë, rivalët e saj më të afërt për çmimin e golashënuesit më të mirë të Kupës së Botës janë Lionel Messi (13 gola) dhe Kylian Mbappe (12). Duke folur pas këtij triumfi, Marta u shpreh se ky çmim i takon të gjithë Brazilit dhe jo vetëm asaj.
“Sigurisht, më bën jashtëzakonisht të lumtur që kam arritur këtë rekord. Megjithatë ai çmim i takon të gjithë Brazilit si Komb, jo vetëm Martës.”-deklaroi ajo.