Daniele De Rosi ka nisur të planifikojë ekipin për sezonin e ardhshëm
Me triumfin ndaj Xhenoas, Roma ka blinduar vendin e gjashtë në renditje, që i jep mundësinë e pjesëmarrjes në edicionin e ardhshëm të Ligës Europa, por edhe shpresën për të garuar në Ligën e Kampionëve, nëse Atalanta triumfon në finale ndaj Leverkuzenit, të mërkurën në mbrëmje.
E nëse verdhekuqtë janë sy e veshë nga Gllasgou, trajneri Daniele De Rosi ka nisur të mendojë për sezonin e ardhshëm, teksa fill pas ndeshjes me Xhenoan nuk ngurroi të falënderojë futbollistët e tij për atë që dhanë në gjysmën e dytë të sezonit.
“Kemi bërë një punë fantastike dhe dua të falënderoj të gjithë futbollistët për atë që kanë dhënë nga muaji janar e deri tani. Jam shumë i kënaqur, por sigurisht që nuk mjaftohem me kaq, pasi sezonin e ardhshëm duhet të rikthejmë Romën mes 4 ekipeve më të mira në Itali”, tha De Rossi.
Me merkaton që hapet zyrtarisht më 1 qershor, De Rosi zbulon se ka në mendje emra të shumtë që do të përforconin skuadrën, por edhe të tjerë që dëshiron t’i mbajë me çdo kusht në kryeqytetin italian.