DAP me kontrolle të ashpra kundër ekonomisë gri, mijëra subjekte në fokus
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka nisur kontrolle të shtuara për të luftuar ekonominë joformale dhe për të rritur disiplinën fiskale në vend.
Fokusi i aksionit janë subjektet që ushtrojnë veprimtari dhe realizojnë qarkullim pa sistem fiskal të regjistruar.
MARKETING

Sipas të dhënave zyrtare, 6.451 tatimpagues aktivë me të punësuar nuk kanë pajisje fiskale për evidentimin e pagesave në para të gatshme.
Nga këta, 3.115 janë të regjistruar edhe për TVSH, çka tregon se bëhet fjalë për biznese me aktivitet të rregullt.
Kumtesa e plotë nga Drejtoria për të Ardhura Publike
“Si pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme për luftimin e ekonomisë joformale dhe përmirësimin e disiplinës fiskale që Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) po i zbaton në periudhën e fundit, kanë nisur aktivitete të shtuara të fokusuara te subjektet që ushtrojnë veprimtari dhe realizojnë qarkullim pa sistem fiskal të regjistruar.
Sipas evidencës zyrtare të DAP-it, në sektorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë, përgatitjes dhe shërbimit të ushqimit, shërbimeve juridike dhe kontabël, si dhe në agjencitë turistike dhe organizatorët e udhëtimeve (tur-operatorë), ku zakonisht realizohet qarkullim me pagesa në para të gatshme, 6.451 tatimpagues janë aktivë dhe kanë të punësuar, por nuk kanë të regjistruar fare sistem fiskal për evidentimin e pagesave në para të gatshme. Nga këta, 3.115 subjekte janë të regjistruara edhe për TVSH, gjë që tregon për ushtrim të rregullt të veprimtarisë afariste. Aktivitetet dhe kontrollet në fazën e parë do të fokusohen pikërisht te këto subjekte, me qëllim harmonizimin e menjëhershëm me detyrimet ligjore për evidentimin e pagesave në para të gatshme.
Gjithashtu, DAP ka identifikuar edhe 13.966 tatimpagues të tjerë në këto sektorë pa pajisje fiskale të regjistruara, për të cilët do të realizohen kontrolle në terren, krahasim të të dhënave dhe mekanizma të tjerë kontrolli, me qëllim të përcaktimit nëse ata ushtrojnë realisht veprimtari pa e deklaruar qarkullimin dhe pa llogaritur e paguar tatime. Nëse konstatohet se subjektet ushtrojnë veprimtari, por nuk e deklarojnë qarkullimin dhe nuk paguajnë tatime, përveç masave kundërvajtëse do të nisin edhe procedura përkatëse penale, në përputhje me ligjin.
Sipas Ligjit për regjistrimin e pagesave në para të gatshme, çdo tatimpagues që realizon qarkullim të mallrave dhe shërbimeve për të cilat pagesa nuk kryhet përmes bankës (pagesa në para të gatshme), është i detyruar të vendosë dhe përdorë sistem fiskal të miratuar për regjistrimin e këtyre pagesave dhe të lëshojë faturë fiskale për çdo transaksion të kryer.
Në këtë drejtim, tatimpaguesit janë të obliguar:
të vendosin dhe përdorin pajisje fiskale ose sistem fiskal;
ta regjistrojnë atë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike para fillimit të aktivitetit;
të lëshojnë faturë fiskale për çdo shitje të mallrave apo shërbimeve që paguhen në para të gatshme.
DAP thekson se mosrespektimi i dispozitave ligjore përbën kundërvajtje, për të cilën parashihen gjoba financiare dhe mbyllje e objekteve afariste, sipas ligjit.
Me këtë njoftim, DAP u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që realizojnë qarkullim me pagesa në para të gatshme dhe nuk kanë sistem fiskal të regjistruar, të ndërmarrin masa urgjente për harmonizim vullnetar, duke siguruar, instaluar dhe regjistruar pajisje fiskale përmes operatorëve të autorizuar dhe sipas procedurave të përcaktuara.
Drejtoria e të Ardhurave Publike do të monitorojë zbatimin dhe do të ndërmarrë masa për përmbushjen e plotë dhe të detyrueshme të obligimeve ligjore.
Lufta kundër ekonomisë gri mbetet një nga prioritetet kryesore të DAP-it, ndërsa kontrollet për fiskalizim synojnë rritjen e besimit në administratën tatimore, vendosjen e rendit në ekonomi dhe mbrojtjen e biznesit legal”.