
De Ligt gati të largohet, tre gjigantët evropianë monitorojnë siatuatën
Mbrojtësi holandez, Matijs de Ligt, ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij, nëse do të mbetet te Bayern Munich apo do të largohet gjatë verës. De Ligt ka pasur një sezon me ulje-ngritje të formës dhe kjo ka bërë që drejtuesit bavarez të mos jenë të sigurt nëse duan ta mbajnë apo jo për sezonin e ardhshëm.
Sipas asaj që ka raportuar e përditshmja franceze L’Equipe, e ardhmja e lojtarit do të vendoset pas Kampionatit Evropian, kur ai do të bisedojë me trajnerin e ri të Bajernit, Vinsent Kompani. Tre gjigantët evropianë si Barcelona, Paris Sen Zhermeni dhe Man. Junajted janë duke e përcjellë me vëmendje situatën e mbrojtësit holandez në “Allianz Arena”.
24-vjeçari nuk e përjashton mundësinë e largimit nga Bajerni, pasi qëllimi i tij është të jetë titullar i rregullt. De Ligt këtë edicion ka zhvilluar 30 ndeshje në total, ku ka shënuar edhe dy gola dhe ka asistuar në një tjetër.
Bajerni ka paguar 67 milionë euro për transferimin e tij dy vite më parë, derisa tani është i gatshëm të lejoj të largohet nëse vije një ofertë rreth 55 milionë euro.