
Dega e ASH-së në Kërçovë distancohet nga kryetari, shpall mbështetjen për listën e përbashkët me VLEN
Dega e Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Kërçovë ka dalë me një qëndrim të prerë kundër vendimeve të fundit të udhëheqjes qendrore të partisë, të cilat i konsideron të paargumentuara dhe në kundërshtim me frymën politike të ASH-së.
Në një deklaratë për media, shumica e anëtarëve të degës dhe të Kuvendit Qendror të ASH-së nga Kërçova njoftuan tre vendime kryesore:
1. Bashkëpunim me VLEN-in në zgjedhjet lokale:
Për shkak të sistemit proporcional që favorizon partitë më të mëdha dhe në funksion të unifikimit të votës shqiptare, dega e ASH-së në Kërçovë ka vendosur të garojë me listë të përbashkët brenda koalicionit opozitar VLEN në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas deklaratës, ky vendim vjen edhe në respekt të mobilizimit të diasporës shqiptare.
2. Distancim nga kryetari i partisë:
Dega nënvizon se mbetet besnike ndaj parimeve dhe zotimeve të marra në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe vazhdon rrugën e nisur – të quajtur simbolikisht “rruga e Arbërit”. Ata distancohen nga qëndrimet “konfuze” të kryetarit të ASH-së, të cilat konsiderohen të kundërta me premtimet elektorale të dhëna nga vetë ai.
3. Thirrje për unitet dhe vazhdim të rrugës së nisur:
Në fund, dega e ASH-së në Kërçovë fton të gjithë anëtarët, funksionarët, deputetët dhe simpatizantët e partisë që me guxim dhe vendosmëri të vazhdojnë rrugën e nisur dhe të mbrojnë interesin e votuesve që i kanë besuar në zgjedhjet e fundit.