Dënim me vdekje për një rast në xhami? Arabia Saudite nën vëmendjen ndërkombëtare
Arabia Saudite ka ekzekutuar dy shtetas nga Bangladeshi, Nazrul Islam Abdul Basir dhe Siti Akhtar, më 14 tetor 2026, në rajonin e Mekës, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme saudite, të publikuar nga Agjencia Saudite e Shtypit (SPA).
Sipas autoriteteve saudite, dy personat ishin dënuar me vdekje për një vepër të cilësuar si e pahijshme, e kryer brenda një xhamie. Në njoftimin zyrtar nuk jepen hollësi konkrete për veprimin e pretenduar, ndërsa dënimet ishin konfirmuar nga autoritetet gjyqësore përkatëse.
Rasti ka ngritur pikëpyetje edhe në Bangladesh. Sipas raportimeve mediatike, autoritetet dhe përfaqësuesit konsullorë të këtij vendi kanë kërkuar sqarime, pasi pretendohet se nuk ishin njoftuar paraprakisht për ekzekutimet.
Ndërkohë, raportime të tjera kanë zbuluar mospërputhje mes të dhënave konsullore për ndalimin e dy shtetasve dhe informacionit të publikuar nga autoritetet saudite lidhur me dënimet e tyre.
Në rrjetet sociale po qarkullojnë pretendime se ngjarja lidhej me një puthje apo se dy personat ishin çift, por këto detaje nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Deri më tani, mbeten të paqarta rrethanat e plota të rastit, provat e paraqitura në gjykatë dhe arsyet e mospërputhjeve të raportuara.
Rasti ka hapur pikëpyetje serioze mbi transparencën e procedurave gjyqësore dhe komunikimin mes autoriteteve saudite dhe atyre të Bangladeshit./Shprehja