
Deputeti Rijad Shaqiri ironizon me VLEN-in: A po fillojmë me punu diçka?
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, ka reaguar ashpër për mosrealizimin e premtimit për dislokimin e deponisë së egër në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Ai kujtoi se premtimi ishte dhënë një vit më parë, por deri më sot asgjë nuk është bërë.
“Para 1 viti u premtua dislokimi i deponisë së Nikushtakut, por deri sot asgjë nuk është bërë. Tash, kur u shpallën zgjedhjet, po del i njëjti premtim. Qytetarët e Likovës nuk kanë nevojë të mashtrohen – ata meritojnë zgjidhje reale, jo fjalë boshe,” tha Shaqiri.
Ky reagim vjen pasi më 06.07.2024, përfaqësues të qeverisë kishin dalë me deklarata publike për zgjidhjen e problemit:
“Sot së bashku me zv.Kryeministrin e parë njëherësh edhe Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Izet Mexhiti, si dhe zv.Kryeministrin Arben Fetai dhe deputetin e zonës Rijad Shaqiri, takuam dhe njoftuam banorët e Komunës së Likovës se nga shtatori i këtij viti do të bëhet dislokimi i deponisë së egër në f. Nikushtak. Me këtë do të caktohen pika të tjera për mbledhjen e mbeturinave si dhe hapja e fabrikës për riciklimin e mbeturinave në nivel rajonal, ku këto deponi të egra si pika akumulimi do të kenë vende të posaçme për grumbullim dhe riciklim. Qeveria Vien – nuk u duhen 22 vite, punë dhe sinqeritet populli do e ndjejë ndryshimin,” thuhej në premtimin e dhënë më 2024.
Shaqiri theksoi se banorët e Likovës nuk kanë nevojë për rikthim të premtimeve të parealizuara, por për veprime konkrete që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës.