
Dervishi: Kur Kryeministri hesht ndaj thirrjeve për spastrim etnik, historia rrezikon të përsëritet
Kur thirrjet për “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi”” bëhen në publik, në Kumanovë, gjatë një ndeshje basketbolli, para një Kryeministri që rri ulur si spektator, nuk kemi të bëjmë me një incident, por me një alarm. Mickoski dhe qeveria e tij nuk treguan as minimalin e përgjegjësisë morale apo politike.
Kështu ka shkruar gazetari dhe analisti nga Tirana, Lutfi Dervishi, ndërsa ka komentuar brohoritjet antishqiptare dje në ndeshjen e basketbollit Maqedoni-Rumuni në Kumanovë, në praninë e kryeministrit Mickoski, zëvendëskryeministrit Stoilkoviq dhe ministrit Toshkovski.
“Përballë urrejtjes zgjodhen të kyçin gojën. Por historia jo fort e largët e këtij shekulli, ka treguar se kur institucionet heshtin përballë diskriminimit dhe urrejtjes, pasoja nuk janë retorike, janë reale. UÇK nuk lindi nga vullneti shqiptarëve për konflikt, por nga një shtet që për vite injoroi kërkesat legjitime për barazi, nga një shtet që i trajtonte shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë”, shkruan Dervishi.
Marrëveshja e Ohrit, vijon më tej ai, nuk ishte dhuratë, por rezultat i çmimit që Maqedonia e pagoi për shkak të padrejtësive të mbledhura dhe heshtjeve të zgjatura.
“Mickoski ndoshta mendon se po fiton vota me heshtje dhe politike antishqiptare, por në fakt po investon në destabilizim. Sepse kur një Kryeministër nuk reagon ndaj thirrjeve për spastrim etnik, atëherë nuk është më çështje retorike, është çështje kohe derisa historia të përsëritet. Dhe këtë herë, përgjegjësia do ketë emra konkretë”.
The post Dervishi: Kur Kryeministri hesht ndaj thirrjeve për spastrim etnik, historia rrezikon të përsëritet appeared first on Flaka, në çdo lajm… .