
Deshamp zgjedh trajnerin që duhet ta udhëheq Francën pas largimit të tij
Didier Deshamp ka përkrahur ikonën franceze Zinedin Zidan si një pasardhës të besueshëm për të marrë drejtimin e kombëtares vitin e ardhshëm. Në një diskutim me mediat franceze, Deshamp u pyet për opinionin e tij që Zidan të bëhet potencialisht trajneri i ardhshëm i kombëtares.
Kjo do të ishte hera e parë që Zidani rikthehet në stol që prej se u largua nga Real Madridi për herë të dytë në vitin 2021. Deshamp ka qenë në krye të ‘Gjelave’ që nga viti 2012 duke fituar Kupën e Botës në vitin 2018 teksa i ka dërguar ata edhe në finale të Euro 2016 si dhe në Kupën e Botës 2022.
Por ishte konfirmuar së fundmi se ai do të jap dorëheqje nga posti i tij pas përfundimit të Kupës së Botës 2026. Zidan për shumë kohë është përmendur si kandidati ideal për të marrë drejtimin e Francës dhe kështu duket se mendon edhe vet Deshamp.
“Ka shumë respekt mes nesh. Ne e pamë njëri-tjetrin herën e fundit në verën e vitit 2023, ne duhet ta shohim njëri-tjetrin sërish verën e ardhshme, për të njëjtat arsye. Zizou është një kandidat shumë i mirë, natyral dhe do të shtoja i pritur. Pas kësaj, nuk e di nëse ai do ta dëshironte këtë”, ka thënë Deshamp.
Ish-legjenda e Real Madridit nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të qenë në krye të Francës, por duhet të pres të paktën edhe 18 muaj për ta bërë realitet këtë.