
Dështimi i 20-të për zgjedhjen e kryekuvendares – bie në sy gjesti ngushëllues i Hekuran Murati ndaj Albulena Haxhiut/FOTO

Për herë të 20-të me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke dështuar sërish në zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, shkruan Insajderi.
Në votimin e sotëm, 53 deputetë votuan pro kandidaturës së saj, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Megjithatë, mungesa e kuorumit të nevojshëm e bëri të pamundur miratimin e saj në këtë pozitë.
Pas mbylljes së seancës nga kryesuesi, i cili njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më 25 maj, një moment ra në sy.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u ndal në sallë për të pritur dhe ngushëlluar Albulena Haxhiun për dështimin e radhës. Ata u panë duke shtrënguar dorën, ndërkohë që në krah të tyre ndodhej edhe lideri i partisë, Albin Kurti.
Ky gjest i Muratit u interpretua si një akt ngushëllimi ndaj Haxhiut, e cila asesi nuk po arrin t’i sigurojë votat për marrjen e drejtimit të Kuvendit.
