
Dështon manifestimi i 23 vjetorit të BDI-së! A po shkon drejt shuarrjes si parti politike?!
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kremtoi 23-vjetorin e themelimit të saj si parti politike, por këtë vit festa u zhvillua nën një atmosferë të zymtë dhe me pjesëmarrje minimale. Nga një organizatë që dikur mbushte sheshe me mijëra mbështetës, këtë herë mezi arriti të mbledhë disa qindra persona nga e gjithë Maqedonia e Veriut.
Në të kaluarën, përvjetorët e BDI-së ishin ngjarje të mëdha politike e mediatike, ku lideri Ali Ahmeti pritej me duartrokitje, brohoritje dhe përkushtim nga strukturat partiake dhe simpatizantët anembanë vendit. Por imazhet e këtij përvjetori treguan një realitet krejt tjetër: një sallë gjysmë e zbrazët dhe një entuziazëm i zbehur.
Ky ndryshim i madh ngre pikëpyetje serioze për të ardhmen e BDI-së. Pas humbjes së pushtetit dhe kalimit në opozitë, duket se partia po përballet me një krizë të thellë identitare dhe organizative. A po shkon drejt shuarrjes BDI? A ishte kjo parti një bashkim interesash momentale, e jo një lëvizje me ideal të qëndrueshëm?
Rënia drastike e mbështetjes për BDI-në a po vë në pah faktin se pjesë të mëdha të anëtarësisë dhe strukturave të saj kanë qenë të motivuara më tepër nga përfitimet e pushtetit sesa nga bindjet politike apo ideali i përfaqësimit të shqiptarëve?!
Në opozitë, BDI po zbulon se e ka të vështirë të ruajë kohezionin e brendshëm dhe besnikërinë e elektoratit. Ndërkohë, partitë e reja shqiptare nën koalicionin VLEN po e shfrytëzojnë momentin për të forcuar pozitat e tyre në skenën politike.
Kjo rënie simbolike e një force që për më shumë se dy dekada ishte sinonim i pushtetit në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, lë të kuptohet se një epokë e re politike është duke u formësuar pa BDI-në në qendër të saj.