
Detaje nga ngjarja në Durrës/ Autori sherr me pronarin për një vajzë
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e ndodhur paraditen e kësaj të premte ku mbeti i plagosur 36-vjeçari Enidor Dedja. Ngjarja ndodhi pranë një biznesi në Xhafzotaj të Durrësit, ku 30-vjeçari Arbër Hoxha qëlloi me armë zjarri Dedjan, punonjës i subjektit tregtar që shet aksesorë automjetesh.
Burime për mediat bjnë me dije se autori i kësaj ngjarje qëlloi me breshëri plumbash të cilat nuk prekën vetëm 36-vjeçarin, por edhe një autobus i cili ishte parkuar në anë të rrugës.
Autori, Arbër Hoxha, ka pasur një konflikt mbrëmjen e djeshme me një nga vëllezërit Domit, pronari i subjektit tregtar ku dhe Dedja punonte për ngacmimin e një vajze.
Këtë të premte palët kanë vendosur të takohen për t’u sqaruar, mirëpo janë përfshirë në një sherr fizik i cili agravoi deri në përdorimin e armëve. I plagosuri mendohet se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me konfliktin, pasi ai është vetëm punonjës në këtë biznes dhe komunikimin e parë me 30-vjeçarin e ka patur ditën e sotme.
Pas të shtënave Arbër Hoxha është larguar me shpejtësi me një automjet tip Ford Fiesta nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, policia dyshon se kanë qenë dy armë të përdorura në shkëmbimin e zjarrit, por ende nuk është e qartë nëse ka pasur përdorim armësh nga të dyja anët.
Sipas burimeve jo zyrtare, Hoxha ka pasur probleme me ligjin edhe më herët.
LEXO EDHE: Të shtëna me armë zjarri në Shijak, plagoset 36-vjeçari, shpallet në kërkim durrsaku
“Rreth orës 11:15, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D.,36 vjeç, banues në Shijak, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar shtetasit A. H., 30 vjeç, banues në Durrës dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftuan blutë e Shijakut më herët.
