Dhëmbët e pjekurisë – kur është koha e duhur për t’i nxjerrë!
Ju mund të keni nevojë për heqjen e dhëmbëve të pjekurisë nëse shkaktojnë dhimbje, kanë pozitë të shtrembër ose ju shkaktojnë probleme tjera të shëndetit oral
Ass.Dr.Sci. Visar Disha
Specialist i Protetikes Stomatologjike
Specialist i Ortodoncisë dhe Ortopedisë së Nofullave
Specialist i Kirurgjisë Orale dhe Implantologjisë
Tel. +38344559287
Ndonjëherë kirurgët oral rekomandojnë heqjen e dhëmbëve të pjekurisë për shkaqe parandaluese, përpara se problemet të zhvillohen.
Kur duhet të bëjmë vizitë tek kirurgu oral?
Ju duhet të caktoni një takim te kirurgu oral nëse keni dhimbje të forta ose parahati nga dhëmbët e pjekurisë.
Kirurgu oral do t’ ju kontrollojë dhe këshillojë nëse duhet të hiqen dhëmbët e pjekurisë.
Pse nxirren dhëmbët e pjekurisë?
Dhëmbët e pjekurisë zakonisht nuk kanë nevojë të nxirren nëse nuk shkaktojnë ndonjë problem.
Mirëpo shpeshherë dhëmbët e pjekurisë mund të shkaktojnë probleme dentare. Ushqimi dhe bakteret mund të bllokohen rreth skajit të dhëmbëve të pjekurisë, duke shkaktuar një grumbullim të pllakut dentar, i cili mund të çojë te:
1. Infeksioni
Problemi më i shpeshtë klinik që shohim është perikoroniti, (një infeksion i lokalizuar). Pa hapësirë të mjaftueshme për eruptim të plotë të dhëmbit të pjekurisë, indi i mishit të dhëmbëve rreth dhëmbit të pjekurisë mund të irritohet dhe infektohet, duke rezultuar në dhimbje të përsëritura, ënjtje dhe probleme me përtypjen dhe/ose gëlltitjen.
2. Formimi i lezioneve cistike
Sëmundjet jo-infektive mund të lindin gjithashtu të lidhura me një dhëmb të pjekurisë. Cistet janë ‘balona’ të mbushura me lëng brenda kockës së nofullës që zhvillohen si rezultat i dhëmbëve të prekur dhe zgjerohen ngadalë duke shkatërruar kockën e nofullës dhe herë pas here dhëmbët afër saj. Ato mund të jenë shumë vështirë për t’u trajtuar nëse dhëmbët e pjekurisë nuk hiqen në vitet e adoleshencës.
3. Dendësi të dhëmbëve
Dhëmballët e pjekurisë të impaktuara mund të kontribuojnë në përkeqësimin e grumbullimit të dhëmbëve tuaj. Kjo vërehet më së shumti me dhëmbët e përparmë, kryesisht me dhëmbët e përparmë të poshtëm dhe më së shpeshti vërehet pasi një pacient ka pasur proteza fikse për drejtim të dhëmbëve.
4. Dëmtimi i dhëmbëve ngjitur
Nëse nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të pastruar rreth dhëmbit të pjekurisë, dhëmbi që gjendet para tij, molari i dytë, mund të ndikohet negativisht duke rezultuar në sëmundje të mishrave të dhëmbëve, humbje kockash rreth dhëmbit dhe/ose prishje.
Mesazhi im
Me zhvillimin e dhëmbëve të pjekurisë, rrënjët bëhen më të gjata dhe kocka e nofullës më e dendur. Kur është e nevojshme të nxjerrën dhëmbët e pjekurisë në të tridhjetat, të dyzetat ose më tej, shërimi post-operativ mund të zgjatet dhe ka një shkallë më të lartë të komplikimeve.
Trajtimi i këtyre komplikimeve është shpesh më i vështirë dhe më pak i parashikueshëm sesa kur kemi të bëjmë me një pacient më të ri. Andaj vizitoni kirurgun oral që të përcaktoni gjendjen e dhëmballëve të pjekurisë. /Telegrafi/