
“Dhoma gazi për shqiptarët” – Haradinaj: Heshtja e Kurtit është turp
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve raciste të dëgjuara nga tifozët maqedonas gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës.
Përmes një postimi të publikuar në rrjete sociale, Haradinaj ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e lidhur heshtjen e tij me atë që e quan “kumbari i koalicionit qeverisës” në Maqedoni të Veriut.
“’Ndryshimi’ që e solli Albin Kurti në Maqedoni të Veriut po ju bën të fala me klithmat shurdhuese: ‘Dhoma gazi për shqiptarët’. ‘Shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur’. ‘Maqedoni e pastër (pa shqiptarë)’. ‘Shqiptarët e mallkuar ta dijnë se emri Maqedoni nuk zhduket’,” shkruan Haradinaj.
Ai thekson se këto mesazhe urrejtjeje dhe kërcënime ndaj shqiptarëve kanë ndodhur në një ngjarje publike, në prani të zyrtarëve të lartë të shtetit, ndërsa Kurti – i cili, sipas tij, ka ushtruar ndikim në krijimin e qeverisë aktuale – nuk ka thënë asnjë fjalë.
“Asnjë fjalë, asnjë reagim nga Kurti, kumbara i koalicionit qeverisës në Maqedoni të Veriut,” thekson Haradinaj, duke lënë të kuptohet se heshtja është e barabartë me bashkëfajësi morale.
Reagimi i Haradinajt vjen në një valë të gjerë kritikash nga opinioni publik dhe politik ndaj gjuhës së urrejtjes që është shfaqur në mënyrë të përsëritur ndaj shqiptarëve në vend, si dhe ndaj mungesës së veprimit konkret nga institucionet kompetente. Flaka
The post “Dhoma gazi për shqiptarët” – Haradinaj: Heshtja e Kurtit është turp appeared first on Flaka, në çdo lajm… .