Dhunë në një familje në Pejë, burri e sulmon fizikisht gruan e tij – intervenon Policia
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje edhe një grua në Pejë, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë zbardhur detaje nga dëshmia e gruas, e cila ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje me të shoqin, ai e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore.
24-vjeçarja ka pranuar tretman mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e 35-vjeçarit nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dhunë në familje’.