
Diellza Rexhepi: “Muzika është udhëtimi im i jetës, sot e ndaj edhe me nxënësit e mi
Nga një vajzë e vogël në qytetin e Vitisë, që nisi të ndjekë kurse private muzike që në moshën 9-vjeçare, deri tek një emër i afirmuar në skenën shqiptare – kjo është rruga e këngëtares dhe mësimdhënëses Diellza Rexhepi.
Me pasion të pandalshëm për muzikën, Diellza ka kaluar nga festivalet e fëmijëve në skena ndërkombëtare, duke ndërtuar një identitet artistik ku tradita dhe moderniteti ndërthuren natyrshëm. Në një intervistë për Ora24.tv, ajo rrëfen për fillimet, sfidat, sukseset dhe rolin e saj si këngëtare dhe mësimdhënëse.
“Pasionin për muzikën e kam zbuluar që në moshën 9-vjeçare, kur nisa kurse private tek prof. Arta Haziri Nuhiu. Aty kuptova se muzika nuk ishte vetëm hobi, por pjesë e pandarë e jetës sime”, shprehet Diellza.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka marrë pjesë në festivale të shumta si Mollkuqet, Diamond Fest, Ardhmëria Jonë, Jehona Shqiptare, Cover Fest, Rising Star dhe Teen Fest, duke fituar çmime të para dhe të dyta, si dhe mirënjohje të ndryshme. Kënga e saj e parë “Nëna ime”, kompozuar nga Defrim Behluli, ishte hapi i parë drejt suksesit.
Përveç skenës, Diellza është edhe mësimdhënëse, duke iu përkushtuar gjeneratës së re të talenteve. “Kur shoh nxënësit duke zhvilluar talentin e tyre, ndiej lumturi të veçantë”, thotë ajo, duke theksuar se synimi i saj është të krijojë një ambient të shëndetshëm për talentet e rinj.
E pyetur për të ardhmen, Diellza tregon se është duke punuar për projekte të reja origjinale dhe synon të zgjerojë kursin e muzikës, duke dhënë hapësirë për më shumë të rinj. “Muzika shpërblen gjithmonë ata që punojnë me pasion dhe durim”, përfundon ajo.
Me talent, punë dhe përkushtim, Diellza Rexhepi po ndërton një karrierë të qëndrueshme, duke e shndërruar muzikën jo vetëm në art, por edhe në mision për të frymëzuar brezin e ri.