
Dihen kandidatët në Saraj: Blerant Ramadani dhe Muhamed Elmazi në garë për kryetar komune
Zgjedhjet lokale në Komunën e Sarajit sjellin një përballje mes dy kandidatëve me përvoja të ndryshme por me angazhim të theksuar në sferën publike dhe politike: Blerant Ramadani dhe Muhamed Elmazi, shkruan Flaka
Blerant Ramadani është kandidati i propozuar nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit dhe i përkrahur nga Aleanca Kombëtare për Integrim me në krye BDI-në. Ai është ekspert në fushën e energjisë së rinovueshme, me publikime shkencore dhe pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare dhe vendore. Ramadani ka përvojë edhe në projekte inovative ndërkombëtare, përfshirë angazhimin në një projekt të NATO-s për detektimin e dronëve dhe pjesëmarrjen në garat NASA Space Apps, ku ekipi i tij është shpërblyer.
Ai ka qenë pjesëmarrës në Forumin Botëror të Demokracisë në Strasburg dhe në trajnime të ndryshme ndërkombëtare, njofton Flaka. Aktualisht, Ramadani është asistent në Fakultetin e Shkencave Teknike në Universitetin e Tetovës dhe mban postin e sekretarit të përgjithshëm të Aleancës për Shqiptarët. Ai vjen nga fshati Kondovë i Komunës së Sarajit, është i martuar dhe baba i dy vajzave.
Në anën tjetër, VLEN ka zyrtarizuar kandidaturën e Muhamed Elmazit, kuadër i Lidhjes Demokratike të Izet Mexhitit. Elmazi është një profesionist me përvojë të gjerë në administratë publike dhe qeverisje lokale. Aktualisht, ai është këshilltar në Qytetin e Shkupit dhe punonjës në Administratën e të Ardhurave Publike, ku angazhohet në zhvillimin e politikave dhe menaxhimin administrativ.
Nga viti 2017 deri në vitin 2021, Elmazi ka qenë këshilltar komunal në Saraj, me rol të rëndësishëm në zhvillimin e projekteve lokale, shkruan Flaka. Nga viti 2013 deri në 2021, ai ka qenë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ku ka fituar përvojë të thelluar në administratë. Ka përfunduar studimet në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Shkencave Ekonomike, dega Administrim Biznesi.
Gara në Saraj pritet të jetë dinamike, përballë dy profileve që përfaqësojnë breza dhe qasje të ndryshme – një kandidat me theks në inovacion dhe shkencë, përballë një kandidati me përvojë të konsoliduar në administratë dhe menaxhim lokal. Flaka