
Ditë e kombshme për Tetovën: Dy ngjarje tragjike brenda pak orësh – 2 persona të vdekur, 4 të plagosur
Tetova është tronditur sot nga dy ngjarje të rënda me pasojë humbjen e jetëve njerëzore, duke rritur shqetësimin për sigurinë dhe gjendjen e institucioneve në qytet.
Rasti i parë ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur një 30-vjeçare nga fshati Kopanicë humbi jetën në Repartin Infektiv të Spitalit Klinik të Tetovës, vetëm pak orë pasi ishte shtruar për trajtim. Sipas SPB-Tetovë, rasti u raportua nga J.S., familjar i viktimës, i cili pretendon se e ndjera S.S. “nuk ka marrë ndihmën e duhur mjekësore”, çka mund të ketë çuar në humbjen e jetës së saj rreth orës 03:20.
Menjëherë pas njoftimit, policia dhe prokurori publik kanë ngritur një ekip hetimor për zbardhjen e rrethanave, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka hapur sërish debatin për cilësinë e shërbimeve shëndetësore në vend.
Ngjarja e dytë ndodhi rreth orës 12:30 në kryqëzimin e rrugëve “Ilindenska” dhe “Blagoja Toska”, ku një përleshje me armë mes personave në dy automjete përfundoi edhe me një aksident trafiku. Të dy automjetet u larguan nga vendngjarja – njëri drejt rrugës “113”, tjetri në drejtim të panjohur.
Policia ka identifikuar një Ford Fiesta me targa të çregjistruara, pronë e një 19-vjeçari nga fshati Gajre, dhe një Volkswagen Golf me targa të Tetovës, pronë e një 46-vjeçari nga qyteti. Brenda Golf-it u gjet një person i pajetë me plagë nga armë zjarri.
Nga të shtënat janë plagosur gjithsej katër persona:
- Një vajzë e mitur nga Tetova, që po trajtohet në Spitalin Klinik të Tetovës.
- Dy persona, O.O. (34) dhe R.T., të transportuar me urgjencë në Kompleksin Klinik “Nënë Tereza” në Shkup.
- Një kalimtar i rastit, A.S. (60) nga Tetova, gjithashtu i dërguar në Shkup.
Prokuroria Publike e Tetovës, së bashku me ekipet e SPB-Tetovë, po kryejnë ekspertizën në vendngjarje dhe kanë nisur një hetim të gjerë për identifikimin e të përfshirëve dhe motivin e përleshjes.
Këto dy ngjarje të njëpasnjëshme kanë krijuar një atmosferë të rënduar në qytet, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë publike dhe funksionimin e institucioneve jetike. Flaka Media
The post Ditë e kombshme për Tetovën: Dy ngjarje tragjike brenda pak orësh – 2 persona të vdekur, 4 të plagosur appeared first on Flaka, në çdo lajm… .