
Djali i Blerim Bexhetit përfiton 12 mijë euro nga “Higjiena Komunale” për “shërbime intelektuale”?
Deri sa qytetarët e Shkupit mbyten në plehra, “Higiena Komunale” nuk kursen para për të shpërblyer djalin e Blerim Bexhetit i cili është koordinator i grupit parlamentar të BDI-së. Plot 12 mijë euro janë derdhur nga kjo ndërmarrje publike për “shërbime intelektuale” të kontraktuara me kompaninë “Heli Consult”, që rastësisht (apo jo?) është në pronësi të djalit të Bexhetit.
Në vend që të pastrohet qyteti, duket se “pastrohen” xhepat e familjes politike! Edhe pse “Higjiena Komunale” po përballet me mungesë mjetesh dhe me vështirësi në kryerjen e detyrave bazike, menaxhmenti i ndërmarrjes gjen kohë dhe para për të nënshkruar kontrata me të afërmit të BDI-së.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Bexhetit përmendet në aferat që përfshijnë familjarë dhe institucione publike. Por kësaj radhe, skandali ka një nuancë edhe më të rëndë: paratë publike, që duhet të shkojnë për shërbime reale dhe të prekshme për qytetarët, shkojnë për “këshilla intelektuale” familjare.
Ironia është se në një kohë kur Shkupi përballet me një krizë ekologjike dhe qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete, përgjigja e sistemit është një faturë prej 12 mijë eurosh për “intelektualizmin” e djalit të një funksionari të BDI-së. Kjo është BDI në veprim: jo për qytetarët, por për xhepat e vet!/Gjurme.info/