Dokumentar selektiv dhe heshtje për Gazën, gazetari Kushtrim Sadiku në shënjestër të kritikave
AA
Gazetari i Kanalit 10, Kushtrim Sadiku, ka njoftuar se të hënën do të shfaqë premierën e dokumentarit të tij “Dhimbja që nuk harrohet”, të realizuar në fund të vitit 2025 në Izrael, i cili trajton sulmet e 7 tetorit dhe zhvillimet që pasuan deri te plani i paqes i hartuar nga presidenti amerikan Donald Trump, përcjell Zyrtare.net
Sipas Sadikut, dokumentari ofron “trajtim të thellë e autentik” përmes rrëfimeve dhe pamjeve ekskluzive nga sulmet, si dhe përfshin një retrospektivë mbi marrëdhëniet shqiptaro-izraelite nga Holokausti, Lufta e Dytë Botërore, lufta e Kosovës e deri te raportet aktuale mes dy shteteve. Ai ka falënderuar publikisht ekipin realizues, bashkëpunëtorët dhe institucionet që kanë ofruar arkivë vizuele, duke e quajtur mbrëmjen e transmetimit “një skenë të rëndësishme të trajtimit të zhvillimeve kryesore në rrafshin ndërkombëtar”.
Megjithatë, njoftimi i gazetarit ka nxitur reagime të ashpra, pasi në promovimin e dokumentarit nuk përmendet fare realiteti i Gazës dhe pasojat humanitare të ofensivës izraelite. Sipas të dhënave të UNICEF-it, nga 7 tetori 2023 në Gaza janë vrarë 20.632 fëmijë. Po ashtu, raportohet se mbi 71.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe mbi 171.000 të tjerë janë plagosur që nga tetori 2023, ndërsa edhe pas një armëpushimi të nisur më 10 tetor, sulmet kanë vazhduar, me qindra viktima të tjera palestineze.
Këto fakte i janë bërë me dije Sadikut edhe përmes komenteve në rrjetet sociale, ku ai është “bombarduar” me kritika për trajtim selektiv të dhimbjes dhe viktimave.
“A ke bërë ndonjë dokumentar për Mejën, Izbicën, Poklekun, Studimen, Krushën e Madhe etj? Patjetër që vrasja e civilëve është e dënueshme, por ky selektim i juaji është ligësi”, ka shkruar komentuesi Mensur Humolli.
Një tjetër komentues i është drejtuar ashpër: “Hajde unfollow se qenke shpirt-shitur. Në momente kur krejt bota solidarizohet me Gazën, ti solidarizohesh me zullumqarët. Turp t’ju vijë!”
Dhe një serë reagimesh të tjera me tone kritike ndaj Sadikut.

Reagimet nuk kanë munguar as nga gazetarë të njohur. Lirim Mehmetaj ka ngritur dyshime mbi prapavijën e projektit, duke shkruar: “Është mirë me i pyet kush i financon dokumentarin. Pastaj bëhet e qartë gjithçka”.

“Gazetari Kushtrim Sadiku, çfarë servili ncncncn. Paska ba dokumentar pro Izraelit me titull “Dhimbja”, ndërsa i harroi 20.000 fëmijë të vrarë gjatë gjenocidit Izraelit! Marre bre duhet me të ardh mareee”, shkroi moderatori i podcastit Merr Frymë, Sunullah Islami.
Ndërsa gazetari Ardit Mehmetaj ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë në reagimin e tij, duke e quajtur autorësinë e një dokumentari të tillë të papranueshme në rrethanat aktuale.
Rasti i dokumentarit “Dhimbja që nuk harrohet” ka hapur një debat më të gjerë mbi etikën profesionale, balancën dhe përgjegjësinë morale të gazetarisë, veçanërisht kur trajtohen konflikte me pasoja të rënda humanitare. Kritikat ndaj Sadikut nuk lidhen vetëm me atë që ka zgjedhur të tregojë, por edhe me atë që ka vendosur të heshtë./ZYRTARE.net