
Dorëzohet Hansi Flik, mesfushori holandez sërish vihet në shitje
Trajneri i ri i Barcelonës, Hansi Flik thuhet se ka pranuar shitjen e mesfushorit Frenkie de Jong, por ka kushte për ta lejuar largimin e tij. Është sërish kjo kohë e vitit – afati kalimtar i verës dhe De Jong po lidhet me një largim nga Barcelona, ashtu sikurse në shumë afate kalimtare në të kaluarën.
Këtë herë, mediumi “Diario Sport” raporton se katalunasit po mendojnë ta shesin holandezin për të rritur financat e tyre. Sipas gazetës katalunase, Barcelona nuk do të refuzonte një ofertë të mirë nëse arrin për De Jong.

Hansi Flik e ka në planet e tij mesfushorin, por nuk do të kundërshtonte një shitje. Megjithatë, tekniku gjerman i ka vendosur një ‘kusht’ Barçës për të shitur holandezin: ai duhet të zëvendësohet nga një tjetër lojtar i klasit botëror në pozicionin e tij. Menaxheri i ri madje ka diskutuar një listë të zëvendësimeve të mundshme të De Jong me drejtorin sportiv, Deko.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, ka një shans që De Jong të mbijetojë një tjetër verë te Barcelona. Dhe nëse e bën, ai do të ishte një titullar i padiskutueshëm në ekipin e Hansi Flik.