Dorëzohet Mercedesi: Në Brazil do të testojmë elementet e reja për 2025
Pas serisë prej tre fitoresh të arritura në katër garat e fundit para pushimit veror, skuadra e “Mercedes”-it i është rikthyer garave anonime në këtë fazë të fundit të sezonit.
Pas pushimeve verore, Luis Hamilton dhe Xhorxh Raswll kanë arritur vetëm një podium, atë në Baku. Duket qartë se “Mercedesi” nuk është më në gjendje të rivalizojë me Ferrari dhe MekLareni, të vetmet që kanë triumfuar në garat e fundit të Formula 1. Drejtori sportiv i “Mercedes”-it, Toto Volf, nuk pret fitore as në pistën e Interlagos në Brazil, ku garohet këtë fundjavë.
“Duke pasur parasysh pozicionin tonë në kampionat, ne ishim në gjendje të testonim gjërat duke paguar një çmim. Jemi ende të fokusuar për të maksimizuar rezultatet tona. Çdo fundjavë, përgatitemi më mirë për vitin 2025. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë qasje edhe në Brazil”, tha Volf.
“Interlagos është një cirkuit për pilotë të vërtetë, ka shumë valëzime dhe një përzierje sfiduese të shpejtësisë së kthesave të ulëta, mesatare dhe të larta. Ne e dimë se do të jetë e vështirë të sfidojmë Ferrari dhe McLaren, të cilët janë shfaqur të fortë në garat e fundit”, shtoi Volf.