Drita pëson disfatë, Ramadani beson se do të jetë ndryshe në ndeshjen e kthimit
Drita ka pësuar humbje si mysafir në ndeshjen e parë të play-offit ndaj Legias me rezultat 2-0. Drita ka arritur të ruajë portën në pjesën e parë edhe pse mbeti me dhjetë lojtarë në fushë. Hasan Gomda ishte ai që u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 30-të, pasi që rasti u shikua në VAR dhe u vendos që ndërhyrja e tij ishte si lojtar i fundit. Edhe me dhjetë veta, Drita arriti të mbahet mirë duke e ruajtur portën dhe fal pritjeve të Faton Malokut.
Të besuarit e Zekirija Ramadanit arritën të mbaheshin deri në minutën e 56-të, kur Blaz Kramer shënoi me kokë për 1-0. Sulmet e skuadrës polake vazhduan, kjo edhe pse Drita ishte me një lojtarë me pak. Mark Gual arriti të shënojë për 2-0 në minutën e 83-të, duke i dhënë polakëve epërsinë prej dy golash. Deri në fund Drita arriti të mbahej pa e pësuar golin e tretë, duke marr një rezultat të mrië duke e parë rrjedhën e ndeshjes.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani ka folur pas ndeshjes me Legian ku skuadra e tij pësoi humbje me rezultat 2-0. Ramadani përmendi dhe faktin që skuadra e tij luajti me dhjetë veta nga minuta e 30-të, duke thënë se është e vështirë veçanërisht kundër një ekipi si Legia. Tutje, Ramadani ka thënë rezultati i sotëm nuk është i keq për Dritën, duke besuar që ndeshja kthyese do të shkojë ndryshe.
“Para së gjithash, dua t’i përgëzoj lojtarët e mi për përpjekjet që kanë bërë në ndeshje, sepse të luash me dhjetë lojtarë për 60 minuta është shumë e vështirë kundër çdo skuadre, veçanërisht ndaj Legias. Humbëm 2-0, por mendoj se golat e pësuar mund të ishin shmangur. Ne kemi bërë shumë përpjekje në ndeshjen ndaj Varshavës. Ky nuk është një rezultat i keq për ne. Do të bëjmë më të mirën në ndeshjen në shtëpi. Do të përfitoj nga ky rast për të uruar kundërshtarët e mi për paraqitjen dhe fitoren. Mezi presim të mirëpresim Legian në Prishtinë javën e ardhshme”, ka thënë Ramadani pas ndeshjes
Ndeshja kthyese zhvillohet pas një jave në “Fadil Vokrri”.