
Duartrokitën dhe pastaj reflektuan, Komuna e Kumanovës dënon thirrjet raciste
Pas skandalit të rëndë në Kumanovë, për çka e para raportoi Flaka dhe vijuan me dhjetëra e qindrz reagime , ka reaguar zyrtarisht Komuna e Kumanovës, si nikoqire e ngjarjes.
Në një deklaratë nga Kabineti i Kryetarit të Komunës thuhet se ngjarja sportive ishte menduar si një moment i veçantë për komunitetin dhe sportin vendor, por fatkeqësisht u njollos nga disa individë me sjellje të papranueshme.
“Dje, në Kumanovë u hap zyrtarisht salla e rikonstruktuar sportive, me zhvillimin e një ndeshjeje midis ekipit kombëtar të basketbollit të Maqedonisë dhe ekipit kombëtar të Rumanisë. Organizator i ngjarjes ishte Federata e Basketbollit e Maqedonisë, ndërsa nikoqir i saj Komuna e Kumanovës. Ngjarja u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe ishte një pamje e bukur, e rrallë në sportin maqedonas,” thuhet në fillim të reagimit.
Por, sipas komunës, “një ditë më vonë u konstatua se gjatë ndeshjes, në një moment të caktuar, disa individë nga publiku hodhën thirrje të papranueshme që nxisnin mosdurim etnik, gjë që bie ndesh me vlerat multietnike mbi të cilat bazohet Komuna jonë.”
Komuna e Kumanovës “në cilësinë e nikoqirit të ngjarjes, i dënon publikisht këto veprime dhe distancohet plotësisht prej tyre.”
Më tej, në deklaratë theksohet se “Kumanova ka qenë dhe do të mbetet qytet i të gjithë banorëve të saj, pa dallim përkatësie etnike, ndërsa sporti dhe kultura do të vazhdojnë të shërbejnë si ura bashkimi mes qytetarëve, ashtu si deri më tani.”
Megjithatë, pavarësisht deklaratës së distancimit, opinioni publik kërkon më shumë se kaq – veprime konkrete për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e thirrjeve raciste dhe garantimin që raste të tilla të mos përsëriten në ambientet sportive. Flaka
The post Duartrokitën dhe pastaj reflektuan, Komuna e Kumanovës dënon thirrjet raciste appeared first on Flaka, në çdo lajm… .