
Durmishi në sesionin e 113-të të ILO-së: Të drejtat e punëtorëve dhe aftësitë digjitale, prioritet kombëtar
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, iu drejtua sesionit të 113-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë, të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO/MOT).
Në fjalimin e tij, ministri Durmishi theksoi rëndësinë e temës për punën e denjë në kuadër të ekonomisë së platformave, duke nënvizuar se kjo çështje po bëhet gjithnjë e më aktuale për shkak të transformimit të shpejtë digjital të tregut të punës.
“Në Maqedoninë e Veriut jemi dëshmitarë të një rritjeje të hershme, por të shpejtë të ekonomisë së platformave. Për shumë prej qytetarëve tanë – veçanërisht për të rinjtë – platformat digjitale ofrojnë hyrje në tregun e punës, shpesh duke siguruar të ardhura atje ku vendet tradicionale të punës janë të rralla. Studentët, freelancerët, shoferët e shpërndarjes, krijuesit e përmbajtjes – të gjithë bëhen pjesë e kësaj fuqie punëtore të re digjitale,” theksoi ministri, duke shtuar se në Maqedoninë e Veriut, ekonomia e platformave tashmë po krijon mundësi për përfshirjen e të rinjve dhe grupeve të cenueshme në tregun e punës.
Megjithatë, siç theksoi ministri, punëtorët në platformat digjitale shpesh mbeten pa kontrata formale, sigurim shëndetësor, kontribute pensionale dhe të drejta themelore të punës. Për këtë arsye, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka filluar një dialog të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara për të krijuar zgjidhje ligjore dhe politike që do të sigurojnë mbrojtje sociale dhe ekonomike, pa penguar inovacionin.
“Do të rishikojmë legjislacionin tonë të punës me një synim të qartë: të zgjerojmë të drejtat dhe mbrojtjen për punëtorët që aktualisht janë jashtë kuadrit tradicional. Në të njëjtën kohë, jemi duke eksploruar modele për taksim të drejtë dhe kontribute sociale, në mënyrë që punëtorët në platforma të kenë qasje në të njëjtat rrjete sigurie si çdo punëtor tjetër. Shkrim-leximi digjital dhe zhvillimi i aftësive janë gjithashtu bërë prioritet kombëtar, veçanërisht për grupet e cenueshme që rrezikojnë të mbeten prapa në këtë tranzicion,” deklaroi Durmishi.
Sipas tij, më e rëndësishmja është të ruhen të drejtat themelore të të gjithë punëtorëve – përfshirë të drejtën për kushte të drejta pune, të drejtën për organizim dhe të drejtën për negociata kolektive – pavarësisht nëse puna kryhet në rrugë, në zyrë apo në internet.
“Maqedonia e Veriut i mbështet fuqishëm përpjekjet e ILO-së për sigurimin e udhëzimeve dhe standardeve ndërkombëtare për këto çështje urgjente. Ne besojmë se puna e denjë duhet të jetë baza e çdo të ardhmeje të punës – qoftë fizike apo digjitale. Prandaj, të punojmë së bashku për të siguruar që asnjë punëtor të mos mbetet i padukshëm, asnjë punë të mos jetë pa dinjitet dhe asnjë e ardhme të mos ndërtohet pa drejtësi,” përfundoi Durmishi.