Dy të vdekur dhe tre të plagosur në një aksident në autostradën Kumanovë – Shkup
Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:35 në autostradën Kumanovë – Shkup, në drejtim të Shkupit, në afërsi të fshatit Agino Sellë.
Nga SPB Kumanovë njoftojnë se në aksident kanë marrë pjesë një automjet i udhëtarëve “Mercedes” me targa të Shkupit, i drejtuar nga M.M. (65) nga Shkupi, dhe një automjet i udhëtarëve “Opel Corsa” me targa të Shkupit, i drejtuar nga S.N. (27) nga Shkupi.
Në vendngjarje kanë ndërruar jetë pasagjerët e automjetit “Opel Corsa”, V.N. (49) dhe L.M. (71) nga Shkupi. L.N. (48), pasagjere në automjetin “Opel Corsa”, ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa pasagjerja B.N. (28) dhe S.N. (27) nga Shkupi kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, thonë nga policia e Kumanovës.
Ekspertizë në vendngjarje ka kryer një ekip nga SPB Kumanovë, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, shoferi i automjetit “Mercedes”, M.M., është privuar nga llibria (arrestuar) dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ushtrohet kallëzim përkatës.(INA)