
Dy vite Lëvizje Demokratike – Shpresa, pritje dhe zhgënjim organizativ
Më 13 gusht 2023, Lëvizja Demokratike shënoi dyvjetorin e themelimit të saj. E krijuar me ambicie të mëdha dhe pritje të larta, kjo parti u prezantua si alternativë e re politike në skenën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, me synimin për t’i dhënë fund “politikës së vjetër” dhe për të ofruar një drejtim të ri.
Megjithatë, dy vite më pas, faqja zyrtare e partisë pasqyron një realitet të ndryshëm nga premtimet fillestare. Në të mungojnë informacione bazë për organizimin partiak: nuk publikohet statuti i partisë, nuk ka të dhëna për Forumin Rinor, ndërsa opsioni për programin politik në format PDF nuk funksionon. Përveç listës së Forumit të Gruas dhe biografisë së liderit Izet Mexhiti, mungojnë të gjitha informacionet për kryesinë, kuvendin qendror, strukturat në degë dhe pasqyrat financiare.
Kjo mungesë transparence dhe organizimi ka nxitur reagime të forta nga vetë anëtarët e LD-së. Nga Tetova, Muhamet Ameti theksoi se dy vite janë më shumë se të mjaftueshme për të krijuar struktura dhe organe funksionale:
“Ose veprojmë seriozisht – ose e mbyllim me nder! Sepse populli nuk ka më durim për premtime boshe.”
Nga Kumanova, Saiti paralajmëroi se pritja e gjatë po kthehet në zhgënjim:
“Rinia ka prit me durim. Populli ka besu me shpirt. Po fjala e thatë nuk i han ma kush.”
Reagimeve iu bashkua edhe Fejzulla Kovaçi, kushëri i liderit Mexhiti, duke e bërë të qartë se pakënaqësia nuk vjen vetëm nga baza e gjerë, por edhe nga rrethi i ngushtë i partisë.
Në shumë qytete, përfshirë Gostivarin dhe Tetovën, Lëvizja Demokratike ende nuk ka zgjedhur kryetarë degësh, duke mbetur një parti pa rrjet organizativ në terren.
Më herët, Sejdi Jahiu, një nga anëtarët themelues të kësaj partie dhe njëherazi zëvendës-koordinator komunal, ka njoftuar largimin e tij të parevokueshëm, duke denoncuar ashpër mënyrën e drejtimit autokratik dhe përjashtues të strukturave të brendshme.
Në një deklaratë të hapur publike, Jahiu shprehet i zhgënjyer thellë nga ajo që ai e quan “tradhti ndaj parimeve themelore me të cilat nisi kjo lëvizje”. Ai kritikon ashpër degradimin e procesit të brendshëm partiak dhe nënçmimin e atyre që ngritën këtë subjekt nga themeli. “Ajo që u ndërtua në emër të meritokracisë, sot është kthyer në një diktaturë moderne”, shkruan Jahiu.
Përtej dorëheqjes së tij si themelues dhe zëvendës-koordinator, ai paralajmëron se shumë të tjerë ndajnë të njëjtat pakënaqësi, por zëri i tyre, sipas tij, po mbytet nga arroganca e lidershipit aktual. “Fatkeqësisht, mesazhet në adresat e duhura kanë hasur në veshë të shurdhër,” shprehet ai, me tone që dukshëm drejtohen ndaj Izet Mexhitit dhe rrethit të tij të ngushtë. Në deklaratën e tij, Jahiu distancohet nga çdo përplasje personale, por thekson se nuk do të heshtë përballë padrejtësive dhe nënçmimeve që u bëhen atyre që dhanë gjithçka për këtë projekt politik. Ai e mbyll reagimin me një mesazh paralajmërues për të rinjtë që mendojnë t’i bashkohen Lëvizjes Demokratike: “Shumë shpejt do zhgënjeheni.”
Dyvjetori i themelimit, që duhej të ishte një moment festimi, po shndërrohet në një pikë kthese ku anëtarët e vetë partisë kërkojnë llogaridhënie, veprim dhe struktura reale – përndryshe rrezikon të mbetet vetëm një emër që kujton një mundësi të humbur. Flaka Media