
Dy vizione, një përvjetor – Mesazhe të koduara nga Ahmeti dhe Mickoski për Marrëveshjen e Ohrit
Sot u shënua 24-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dokumenti historik që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe vendosi themelet e bashkëjetesës ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Hristijan Mickoski foli në ceremoninë solemne të organizuar nga Qeveria, ndërsa lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, e përcolli mesazhin e tij përmes një paraqitjeje në rrjetet sociale.
Mickoski: Marrëveshja – simbol i pjekurisë dhe unitetit
Nga foltorja qeveritare, kryeministri Hristijan Mickoski e quajti Marrëveshjen Kornizë “një përkujtues të një të vërtete të thellë – se shtetin e kemi vetëm nëse e ruajmë së bashku, përmes dialogut, kompromisit dhe unitetit”. Ai kujtoi verën e vitit 2001 si një periudhë të frikshme dhe të pasigurt, por edhe si momentin kur “me guxim, durim dhe vizion, u zgjodh rruga e paqes”.
Mickoski pranoi se nënshkrimi i Marrëveshjes nuk i bëri të lumtur as maqedonasit, as shqiptarët, por theksoi se ajo solli “paqe dhe stabilitet 24 vjet më vonë” dhe garantoi ruajtjen e unitetit të vendit. Ai paralajmëroi se për më shumë se dy dekada, nacionalizmi është keqpërdorur si “mbulesa më e mirë për mbrojtjen e krimit dhe interesave personale” nga struktura politike që kanë manipuluar qytetarët.
“Valixhet që po ikin nuk kanë kombësi. Njerëzit po ikin, fshatrat po zbrazen – maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serbë, vllehë, boshnjakë. Gara nuk është kush është më radikal, por kush zgjidh problemet reale”, tha Mickoski.
Ai theksoi se Marrëveshja Kornizë tashmë është një “kapitull i mbyllur” pas miratimit të ligjit për përfaqësim të drejtë, duke e quajtur atë një dëshmi të nevojës për bashkim dhe integrim. “Nuk ka të ardhme maqedonase, shqiptare, turke apo serbe – ekziston vetëm një e ardhme e përbashkët”, përfundoi ai.
Ahmeti: Revizioni i arritjeve nuk lejohet
Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalimin e publikuar në rrjetet sociale, rikujtoi momentin e 13 gushtit 2001, kur “shqiptarë e maqedonas ia shtrinë dorën njëri-tjetrit” për të ndërtuar një Maqedoni të re dhe të barabartë. Ai përmendi ndryshimet kushtetuese, zbatimin e gjuhës shqipe, ngritjen e universiteteve dhe spitaleve, ndërtimin e infrastrukturës dhe arritjen e anëtarësimit në NATO.
Sipas Ahmetit, këto arritje janë “vet shteti” dhe themeli i stabilitetit. “Revizion i të arriturave të përbashkëta nuk na lejohet neve që jemi autorë, firmëtarë dhe zbatues të Marrëveshjes së Ohrit”, u shpreh ai, duke akuzuar kundërshtarët politikë se nuk kanë asnjë kontribut në këto procese dhe se janë përzgjedhur “nga tjetri për t’ia bërë hyzmetin të keqës”.
“Trimëria pas luftës e urtësia pas kuvendit nuk VLEN”, deklaroi Ahmeti, duke u bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen “jo si hyzmeçarë e qiraxhinj, por si krenarë e të përkushtuar për t’i dalë Zot kushtrimit popullor për dinjitet kombëtar”.
Ai e mbylli mesazhin me një apel për unitet para 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit: “O sot o kurrë, që çerek shekulli i Marrëveshjes të na gjejë ballë-lartë si dje, e jo të përkulur, nënçmuar e të përbuzur si sot.”
Dy vizione, një përvjetor
Ndërsa Mickoski e vendosi theksin te tejkalimi i ndasive etnike dhe fokusimi te problemet reale të qytetarëve, Ahmeti e përdori përvjetorin për të rikujtuar kontributin historik të shqiptarëve dhe rolin e tij politik në implementimin e Marrëveshjes. Të dy, megjithatë, dërguan mesazh se paqja dhe stabiliteti mbeten detyrim i përbashkët.