E FUNDIT në Shqipëri: Begaj takon protestuesit, kërkohet shpërndarja e Parlamentit dhe krijimi i një qeverie tranzitore
TIRANË – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar takime me dy grupe protestuesish, të cilët i kanë paraqitur kërkesat e tyre për zgjidhjen e situatës politike në vend.
Sipas informacioneve të publikuara nga News24, bisedimet me kreun e shtetit janë zhvilluar në dy ditë të ndryshme. Gjatë takimeve, protestuesit kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet politike dhe kanë paraqitur propozimet për tejkalimin e krizës.
Ndër kërkesat kryesore të paraqitura para Presidentit Begaj janë shpërndarja e Parlamentit dhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat njëvjeçar.
Sipas propozimit të protestuesve, qeveria tranzitore do të kishte si mision kryesor përgatitjen e vendit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Deri më tani, këto kërkesa paraqiten si propozime të protestuesve, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë zhvillime të mëtejshme institucionale lidhur me to./Shprehja.com